Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti bashkë me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani të hënën kanë bërë homazhe tek memoriali i të pagjeturve në sheshin, “Ibrahim Rugova”. Në ditën ndërkombëtare të pagjeturve, dy liderët institucional theksuan se kriminelët serbë duhet të përgjigjet për krimet që i kanë bërë në Kosovë, dhe se amnisti për ta nuk do të ketë asnjëherë.
Shefi i ekzekutivit në detyrë, tha se me ndryshimin e kodit të procedurës penale, kriminelët e luftës së fundit në Kosovë mund të gjykohen dhe dënohen në mungesë.
Për këtë theksoi se është koha që Prokuroria Speciale të bëj punën e vet.
Kurti: Është koha që edhe Prokuroria Speciale të thotë fjalën e vet dhe të bëj punën e vet
“Është miratuar ndryshimi i kodit të procedurës penale, që mundëson që kriminelët e luftës së fundit në Kosovë të gjykohen edhe dënohen në mungesë. Është e rëndësishme që të kemi sa më shumë punë dhe aktivitet për zbardhjen e fatit të pagjeturve. Edhe për gjykimin e dënimin e kriminelëve. Për këtë si qeveri në detyrë jemi në gatishmëri maksimale, por është koha që edhe Prokuroria Speciale të thotë fjalën e vet dhe të bëj punën e vet”, u shpreh Kurti.
Ndërsa, kryeparlamentarja, Vjosa Osmani tha se pa kthimin e të pagjeturve nuk mund të ketë paqe mes Kosovës dhe Serbisë.
Osmani: Sot po nderojmë ditën ndërkombëtare të zhdukurve
“Sot po nderojmë në radhë të parë viktimat e masakrës së Meje, në radhë të dytë ditën ndërkombëtare të të zhdukurve. Meqenëse jemi këtu për këtë qëllim iu lus për mirëkuptim. Për tema tjera do të kemi rastin të flasim”, tha ajo.
I pyetur për situatën aktuale politike, kryeministri në detyrë tha se nuk është vendi të flet, siç e cilësoi pingpongun politik./ Tv Malisheva