Mjekët në Indi po paralajmërojnë kundër praktikës së përdorimit të bajgës së lopës në besimin se do të largojë COVID-19, duke thënë se nuk ka prova shkencore për efektivitetin e saj dhe se rrezikon përhapjen e sëmundjeve të tjera.
Pandemia e coronavirusit ka shkatërruar Indinë, me 22,66 milionë raste dhe 246,116 vdekje të raportuara deri më tani.
Megjithatë, ekspertët thonë se numri aktual mund të jetë pesë deri në 10 herë më i lartë dhe qytetarët në të gjithë vendin po përpiqen të gjejnë shtretër spitali, oksigjen ose ilaçe, duke lënë shumë të vdesin për mungesë të trajtimit.
Por në Gujarat, disa besimtarë kanë shkuar në strehimoret e lopëve një herë në javë për të mbuluar trupat e tyre në bajgë dhe urinë me shpresën se kjo do të rrisë imunitetin e tyre kundër coronavirusit ose për t’i ndihmuar ata të shërohen, shkruan Reuters.
Në Hinduizëm, lopa është një simbol i shenjtë i jetës dhe tokës, dhe për shekuj me radhë Hindusët kanë përdorur bajgë lope për të pastruar shtëpitë e tyre dhe për ritualet e lutjes, duke besuar se ajo ka veti terapeutike dhe antiseptike.
“Ne e shohim … edhe mjekët vijnë këtu. Besimi i tyre është se kjo terapi përmirëson imunitetin e tyre dhe ata mund të shkojnë dhe t’u drejtohen pacientëve pa frikë”, citohet të ketë thënë Gautam Manilal Borisa, një menaxher i asociuar në një kompani farmaceutike, i cili tha se praktika e ndihmoi atë të rikuperohej nga COVID-19 vitin e kaluar.
Ai që atëherë ka qenë i rregullt në Shree Swaminarayan Gurukul Vishwavidya Pratishthanam, një shkollë e drejtuar nga murgjit Hindu që shtrihet pikërisht përtej rrugës nga selia indiane e Zydus Cadila, e cila po zhvillon vaksinën e saj COVID-19.
Ndërsa pjesëmarrësit presin që plehrat dhe përzierja e urinës në trupat e tyre të thahen, ata përqafojnë ose nderojnë lopët në strehimore dhe praktikojnë joga për të rritur nivelet e energjisë. Pastaj e bëjnë pastrimin me qumësht ose dhallë.
Dhe në këtë drejtim, mjekët dhe shkencëtarët në Indi dhe në të gjithë botën kanë paralajmëruar vazhdimisht kundër praktikimit të trajtimeve alternative për COVID-19, duke thënë se ato mund të çojnë në një ndjenjë false të sigurisë dhe të komplikojnë problemet shëndetësore.
“Nuk ka asnjë provë konkrete shkencore që bajga e lopës ose urina funksionojnë për të rritur imunitetin kundër COVID-19, ajo bazohet tërësisht në besim”, ka thënë Dr. JA Jayalal, president kombëtar në Shoqatën Mjekësore Indiane.
“Ekzistojnë gjithashtu rreziqe shëndetësore të përfshira në njollosjen ose konsumimin e këtyre produkteve – sëmundje të tjera mund të përhapen nga kafsha te njerëzit”.
Veç këtyre, ekzistojnë gjithashtu shqetësime se praktika mund të kontribuojë në përhapjen e virusit pasi përfshinte njerëz që mblidheshin në grupe.