Në Shqipëri sot nisi viti i ri shkollor, ku më këtë rast u bë promovimi i Abetares së përbashkët Kosovë – Shqipëri.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit në Shqipëri Evis Kushi dhe ministrja e Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci, kjo e fundit është duke u përballur me grevën në arsim, e cila ka hyrë në javën e dytë.
Gjatë vizitës në Shqipëri, Nagavci nuk ka përmendur grevën në Kosovë, ajo ka uruar nxënësit e klasave të para që do të mësojnë të parët abetaren e përbashkët Kosovë – Shqipëri.
“Pas promovimit në Gjakovë, Abetaren e përbashkët unike Kosovë–Shqipëri e promovuam edhe në Tiranë, nga ku, bashkë me kryeministrin Edi Rama, ministren Evis Kushi dhe ministrin Jeton Shaqiri, uruam të gjithë vogëlushët shqiptarë, të cilët do të jenë të parët që do ta fillojnë këtë histori të bukur shqiptare.
Kur flasim për Abetaren, natyrshëm na vijnë në mendje të gjithë ata atdhetarë e intelektualë që i vunë themelet, e bënë rrugë të gjatë dhe plot sakrifica për ruajtjen e identitetit dhe vlerave kombëtare që na bashkojnë. Kujtojmë edhe gjithë atë plejadë mësuesish që ngritën breza të tërë duke luftuar analfabetizmin dhe paditurinë për të ngritur kështu një komb të tërë drejt një shoqërie të emancipuar, të ditur e konkurruese me botën e zhvilluar. Tash, të gjithë së bashku, le ta bëjmë historinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës, arsimit dhe fuqizimin e kombit shqiptar”, shkroi Nagavci.
Ajo shtoi se shfrytëzimi i potencialit të dy vendeve tona na bën shumë më të fortë dhe shumë më të lehtë arritjen e synimeve tona të përbashkëta për arsimim më cilësor. “E gëzofshi Abetaren e re!”, shkroi ministrja e Arsimit.
/TV Malisheva