Sot në fshatin Llapçevë, ka filluar asfaltimi i 1200 metrave rrugë brenda fshatit, si dhe ka filluar edhe rregullimi i ndriçimit publik. Këto punime sot i kanë inspektuar i pari i urbanizimit, Ahmet Morina dhe shefi i prokurimit, Nuhi Shala, të cilët janë pritur nga kryetari i fshatit Hazir Avdiaj dhe banorë të tjerë të Llapçevës.

Gjatë vizitës në Llapçevë, drejtori i urbanizmit, Ahmet Morina, tha se moto e këtyre investimeve që janë duke u bërë në Komunën e Malishevës, është “Malisheva e re”, pasi janë duke u investuar projekte që kapin vlerën e disa milionëve, në të gjitha vendbanimet dhe në qytetin e Malishevës.

“Sot kemi filluar me rregullimin e ndriçimit publik në sheshin dhe në disa rrugë të LLapçevës, si dhe kemi filluar me asfaltimin e 1200 metrave rrugë brenda lagjeve të fshatit, dhe me këto investime gradualisht po përmbushen nevojat e banorëve dhe investimet në infrastrukturën e fshati”, tha Morina.

“Qeverisja Begaj është përkushtuar në realizimin e shumë projekteve në infrastrukturën e përgjithshme, e që kapin shifra milionëshe, dhe me të drejtë e kemi edhe moton e investimeve për këtë vit, si Malisheva e re”, tha drejtori Morina, i cili në emër të kryetarit Begaj, i ka uruar banorët.

Nga ana tjetër, kryetari fshatit, Hazir Avdiaj, e ka falënderuar Komunën e Malishevës dhe kryetarin Ragip Begaj, për realizimin e këtyre projekteve shumë domethënëse për banorët, pasi rrugët janë jetike, e po ashtu edhe ndriçimi ka rëndësi të madhe, pasi Llapçeva njihet edhe si fshat turistik.

Share.