Në Maqedoninë e Veriut, të premten kanë arritur edhe 149 afganë, të cilët janë pjesë e kontingjentit prej 750 shtetasve nga Afganistani, të cilët Shkupi ka shprehur gatishmërinë t’i strehojë, pas marrjes së kontrollit nga talibanët.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar se grupi përbëhet nga persona që kanë punuar për fondacionin “Shoqëria e Hapur”, si dhe për misione tjera ndërkombëtare për zhvillimin e demokracisë në Afganistan, si dhe anëtarë të familjeve të tyre.

Ata janë strehuar në disa hotele në Shkup ku do të qëndrojnë deri në tre muaj, prej nga më pas do të transferohen në destinacionin e tyre përfundimtar, Shtetet e Bashkuara.

“Institucionet po bëjnë gjithçka për t’iu siguruar atyre të gjitha kushtet që të ndihen të sigurt gjatë qëndrimit të tyre në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Qeveria mbetet e përkushtuar për dhënien e kontributit si pjesë e aksionit humanitar ndërkombëtar për të ndihmuar qytetarët afganë, të cilët kanë punuar për të përmirësuar të drejtat e njeriut në të kaluarën”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Vendimi i Qeverisë për strehimin e afganëve vazhdon të kritikohet nga disa parti të ekstremit të majtë, por edhe shoqata të ndryshme, duke vlerësuar se Qeveria maqedonse po rrezikon sigurinë kombëtare përmes këtij vendimi.

Por, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev në disa raste ka hedhur poshtë këto pretendime duke theksuar se “bëhet fjalë për persona që janë rreshtuar përkrah Perëndimit me synimin për zhvillimin e vendit të tyre e asesi për grupe që mund të rrezikojnë sigurinë e vendit”.

Pas arritjes në Shkup, afganët iu nënshtruan kontrolleve të sigurisë dhe mbrojtjes shëndetësore dhe testeve PCR për koronavirus.

Atyre u është mundësuar edhe vaksinimi për koronavirus.

Deri tani, në Maqedoninë e Veriut kanë arritur 450 shtetas të Afganistanit, jeta e të cilëve ishte në rrezik nga hakmarrja e talibanëve për shkak të angazhimit të tyre në misione të ndryshme humanitare dhe shoqata tjera për zhvillimin e demokracisë në këtë shtet.

Edhe autoritetet e Kosovës kanë pranuar afganë të zhvendosur nga vendlindja e tyre.

Aktualisht në këtë shtet janë rreth 700 refugjatë.

Rreth 100 tashmë janë larguar nga Kosova drejt Mbretërisë së Bashkuar./REL/

Share.