Në më pak se 24 orë nga funksionalizimi i shërbimit online për votuesit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar rreth 1,100 kërkesa për ndërrimin e qendrës së votimit.

Kështu është bërë e ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook të faqes zyrtare të KQZ-së.

Tutje bëhet e ditur se përmes platformës EOMP.KQZ-KS.ORG qytetarët me të drejtë vote që votojnë në Republikën e Kosovës mund të kryejnë këto dy shërbime: Ta mësojnë Qendrën e Votimit dhe nëse duan edhe ta ndërrojnë atë, duke zgjedhur qendrën më afër vendbanimit të tyre, në mënyrë që aty të mund të votojnë në zgjedhjet e ardhshme.

“Gjej dhe ndërro Qendrën e Votimit është një shërbim i përhershëm që mundësohet nga KQZ edhe në vitet jozgjedhore dhe do t’i shërbejë përmirësimit të Listës së Votuesve”, thuhet në postim.

/TV Malisheva

Share.