Për reduktimet e energjisë elektrike të cilat janë duke u aplikuar që nga dita e hënë, të pakënaqur shprehen edhe qytetarët. Sipas tyre kjo nuk është e drejtë, derisa të mllefosur shprehen edhe për paralajmërimin e rritjes së tarifave. Ata thonë se shtrenjtimi i rrymës dhe reduktimet e saj ndikojnë në ekonomitë familjare.

Qytetari Shefki Kolgeci nga Theranda thotë se shtrenjtimi i energjisë elektrike është i papërballueshëm.

Kolgeci: Reduktimet dhe shtrenjtimi i rrymës janë të papërballueshme

“Unë mendoj që nuk është e mirë që reduktimet nuk kanë qenë as përpara as tash, po sidomos tash është koha e verës, prej tash e u bën reduktimet po dimrit çfarë do të bëjmë… Shtrenjtimi i rrymës edhe kjo nuk përballohet për shkak se të ardhura nuk kemi, rrogat nuk rriten, pensionet nuk rriten, me këto të ardhura nuk mundemi me i përballu këtij shtrenjtimi në qoftë se bëhet shtrenjtimi përndryshe kështu siç është disi ia dalim”, tha ai.

I pakënaqur përball kësaj situate është edhe qytetari Vesel Veseli, i cili thotë se qeveria duhet të marrë masa për ta zbutur këtë situatë.

Veseli: Reduktimet ndikojnë negativisht në ekonominë familjare

“Këto shtrenjtimet e rrymës janë shumë të paprekshme për buxhetin e familjeve tona, por qeveria për me i zbut këto probleme duhet me marrë masa sociale duke ngritur pensionet, duke ngritur ndihmat sociale e benefitet tjera për qytetarët. Me këto buxhete familjare që i kanë shumica e familjeve tona është vështirë për t’i mbuluar këto shtrenjtimi të rrymës”, thotë ai

Ndërsa ka shtuar se këto reduktime janë të paarsyeshme.

Veseli: Reduktimet janë të paarsyeshme

“Edhe reduktimet për mua janë të pa arsyeshme. Si arsyetohet për shembull në pikë të verës me e bë dimër, si arsyetohet në pikë të ditës me ma bë natë, d.m.th. duhet t’i respektojmë ligjet e natyrës e jo si të na teket, por duhet ta menaxhojmë me kohë prej resurseve e buxhetit të qeverisë. Është dashur me lidh kontrata me marrëveshje nëse ka nevojë me importua e jo qytetarët me i lanë pa rrymë, jo vetëm familjet që pësojnë, por po pëson edhe ekonomia jonë, të gjitha bizneset d.m.th. zhvillimi ekonomik i vendit pëson pa rrymë. Pa rrymë nuk ka ekzistencë në ditët e sotme e si d.m.th. me një element qenësor të jetës sonë me bë lojë”, thotë ai.

Edhe Faik Shaqiri shprehet i pakënaqur me reduktimet dhe paralajmërimet për shtrenjtim të rrymës.

Shaqiri: Shtrejtime po na veshirësojne jetesën

“Na vet nuk e dimë.. këta d.m.th.. nuk I kemi kushtet me na e rrit jemi ligsht prej pensionit, çdo send po kushton, peleti shtrenjtë, druri shtrenjte, vetëm të jemi shëndosh, pensionet nuk po rrihet, asgjë… Një herë e ndalën, por tash po thonë ‘jo, jo’, por prapë ndoshta e bëjnë po këta, nuk e dimë tash… Nuk është e drejtë, ku është e drejtë, nuk ka të drejtë askund, nuk kemi asgjë, nuk kemi shtet as skemi asgjë, as nuk kemi te drejta. Ku është e drejtë 100 euro pensioni, a pikë së pari duhet ta kemi 300 deri 500 euro, po nuk kemi çka të bëjmë”, thotë ai.

Ndërkaq zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë sot për KosovaPress se sot pasdite pritet përmirësimi i furnizimit me energji elektrike.

“Aktualisht ka reduktime, ndërsa sot pasdite pritet përmirësimi i furnizimit me energji elektrike”, ka thënë ai.

Furnizuesi me rrymë, KESCO ka propozuar të premten dyfishimin e tarifave të rrymës, kjo është arsyetuar me mos disbursim të subvencioneve të premtuara nga qeveria dhe me rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare./TV Malisheva

 

 

 

Share.