Sot në Komunën e Malishevës, në prag të festës së Bajramit, janë shpërndarë ndihma për 220 familje. Këto ndihma janë donacione të dhuruara për Komunën e Malishevës, nga donatorët e ndryshëm, gjatë këtyre ditëve, të cilët i kanë sjellë në shtabin emergjent komunal, me qëllim të shpërndarjes sipas nevojës që kanë këto familje.

Sipas shtabit emergjent komunal, këto ndihma janë në pako ushqimore dhe higjienike, për 200 familje, ndërsa pjesa tjetër është nga 100 euro për 20 familje. Ndihmën në mjete nga 100 euro, i ka dhënë biznesmeni dhe humanisti Njazi Bytyqi, nga Shkoza, pronar i firmës “Bytyqi Bau” GmbH, i cili jeton dhe vepron në Gjermani, e që njihet për kontributin e tij të vazhdueshëm.

Për të gjitha këto ndihma të dhuruara, të gjithë donatorët i ka falënderuar edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj. “Gjatë gjithë situatës me pandemi, por edhe tani për festën e Bajramit, janë donatorët ata të cilët, i kanë ndihmuar të gjitha familjet në nevojë, prandaj, në emër të Komunës së Malishevës, i falënderoj të gjithë”, ka thënë kryetari Begaj./ Tv Malisheva

Share.