Që nga 5 maji e deri më tani në sallën “1 Tetori” janë rreth 8 mijë persona mbi moshën 65-vjeç që kanë marrë vaksinën antiCOVID-19.

Në konferencën për media, koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori”, Niman Bardhi tha se vetëm sot në këtë qendër janë vaksinuar 140 persona të grup moshave 65-vjeç.

Ndërkaq ka theksuar edhe se po vaksinohen vetëm personat e regjistruar në e-Kosova e që janë kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Bardhi: 42 mijë të vaksinuar deri tani në Kosovë

“Edhe sot po vazhdon procesi i vaksinimit të grup moshave mbi 65-vjeç aktualisht deri në këto qaste që ne po flasim sot kemi të vaksinuar rreth 140 persona përderisa nëse i referohemi totalit deri më tani në sallën ‘1 Tetori’ kemi rreth 8 mijë të vaksinuar nga data 5 deri më sot ndërsa nëse flasim në nivel vendi nga fillimi i vaksinimit e tutje tashme vetëm kemi kaluar 42 mijë të vaksinuar në nivel vendi”, tha ai.

Aplikimi online po paraqet vështirësi për të moshuarit, me ç’rast ata po kërkojnë që të bëhet lehtësimi për mënyrën e aplikimit për t’u vaksinuar me vaksinën antiCOVID-19.

Hilmi Hashani nga Prishtina u shpreh se meqë aplikimi ishte më komplikuar dhe se për këtë iu deshtë ndihma e një më të ri në moshë.

Hashani: Veprim i qëlluar aplikimi pro i vështirë

“Është veprim i qëlluar por pak i vështirë për shkak që shumica janë të moshuar edhe nuk kanë njohuri për kompjuterin kështu që është pak e komplikuar, po duhet me na ndihmu fëmijët ose nipat e mbesat”, tha ai.

Edhe Ejup Aliu thotë se aplikimi është i ndërlikuar, dhe se kërkon të thjeshtësohet pasi që mosha e tij nuk dinë të aplikojnë në këtë mënyrë.

Aliu: Aplikimi i ndërlikuar

Unë mendoj që është një vendim i mirë, proces i mirë mirëpo aplikimi pak i ndërlikuar, çka jem na më në moshë nuk dijmë me apliku në atë mënyrë, për shembull për ne ka apliku djali se përndryshe na nuk dimë, mirë kishte qenë nëse e kishin thjeshtësu pak, me bo me një telefonatë[…]se na nuk dimë”, tha ai

Ndërsa Bajram Halit tha se ky lloj procesi është i qëlluar pasi që tani nuk po ka tollovi

Haliti: Procesi i aplikimit ka ndale tollovinë

“Procesi i aplikimit shumë në rregull se atë ditë kanë qenë, të shtunën s’di sa mijë vet tollovi e tash është mire, djali na ka regjistru të shtunën në mbrëmje sot na kanë thirr, s’ka tollovi mirë është duke shkuar”, tha ai.

Për këto shqetësime koordinatori i qendrës së vaksinimit, në sallën “1 Tetori”, tha se e ka ngritur këtë çështje tek komiteti për imunizim, Bardhi tha se nga nesër e tutje pritet që ky proces i aplikimit të bëhet më i lehtë.

Bardhi: Nga nesër do të ndryshoj procesi i vaksinimit.

“Shqetësimin mbi bazën e të aplikuarit në platformën online e-Kosova e kemi marrë që nga dita e djeshme dhe këtë çështje e kemi ngrit në stadin më të lartë tek komiteti për imunizim të popullatës dhe me informatën që ne kemi marrë po shpresojmë që nga dita nesër e tutje[…]ky proces do të jetë me i lehtë për të aplikuar dhe mundësia e qasjes pavarësisht kategorive që e njohin mire edhe pjesën e IT edhe ata që nuk e njohin do të thotë e kanë shumë të lehtë për të aplikuar dhe të mos paraqet probleme në të ardhmen”, tha ai./TV Malisheva

Share.