Përballë situatës kur dy persona janë testuar pozitivisht me koronavirus, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sot paralajmëroi një mori me masa parandaluese duke nisur nga shkollat.

“Mbyllja e institucioneve arsimore për një periudhë 2-javore për të parandaluar përhapjen dhe pastaj vlerësimi në proces. Duhet të jetë e qartë për të gjithë që, në të gjitha statistikat e nxjerra deri tani në terrenin global të zhvillimit të kësaj përballjeje pjesa më pak e kërcënuar është pjesa e më të rinjve. Por, nga ana tjetër, duhet kuptuar se të rinjtë, apo fëmijët, të cilët për shkak të faktit që duhet të shkojnë në shkollë, apo në kopsht dhe mblidhen së bashku janë bartës, pra mund ta transportojnë virusin tek të tjerët”, tha Rama.

Krahas shkollave qeveria shqiptare vendosi edhe një sërë masash të tjera sa i përket transportit detar ajror dhe rrugor.

“Pezullimi i fluturimeve direkte, apo udhëtimeve me veriun e Italisë dhe praktikisht me të gjitha zonat e kuqe të izoluara plotësisht deri më 3 prill”, tha Rama.

Qeveria e Shqipërisë sot vendosi edhe mbylljen e aktiviteteve sportive, kulturore dhe dëgjesa publike deri më 3 prill./tch

Share.