Në takimet e para të nivelit të lartë të dialogut në Bruksel pritet të përcaktohet se ku është vendi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në planin e Bashkimit Evropian për dialogun, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Seb Bytyçi. Në anën tjetër, partitë opozitare në Kosovë, vazhdojnë kritikat ndaj kryeministrit Albin Kurti se ka pranuar themelimin e “Zajedincës”, ndërsa kushtet e tij i konsiderojnë vetëm si populizëm dhe për politikë të brendshme.
Profesori Seb Bytyçi, shprehet i shqetësuar se ndërmjetësuesit e dialogut mund të pranojnë parakushtin e Serbisë që Asociacioni të jetë në qendër të marrëveshjes.
Sipas tij, interesi i Kosovës është që diskutimi për Asociacionin, në kuadër të zbatimit të marrëveshje të kaluara të jetë i fundit në propozimin e BE-së.
Bytyçi: Në takimin Kurti-Vuçiq pritet të përcaktohet vendi i Asociacionit në planin e BE-së për dialogun
“Fatkeqësisht, parakushti i Serbisë e ka vendosur Asociacionin në qendër të marrëveshjes. Ka një tentim ka ndërmjetësuesit që parakushti i Serbisë të pranohet si i tillë dhe thjeshtë t’i imponohet Kosovës dhe injorohen kërkesat. Kjo është një degradim i marrëveshjes, kurse kemi pa nga pala kosovare një rezistencë që mos të ndodh kjo. Ky udhërrëfyesi ta quajmë ashtu, i disa pikave që përcakton se si mund të formohet Asociacioni, ishte një rrugëdalje që e bëri rezistencën e Kosovës të logjikshme dhe pranueshme edhe për ndërmjetësuesit dhe i hapi rrugë dialogut. Tash mbetet të shihet a do të ndodhin takimet dhe gjatë këtyre takimeve të nivelit të lartë, pritet të përcaktohet ku është vendi i Asociacionit në marrëveshje. Sigurisht interesi i Kosovës është që ai të jetë i fundit, por kjo do të përcaktohet gjatë këtyre takimeve. Cili është plani kohor, sekuencat kohore të implementimit të marrëveshjeve të kaluara, pasi Asociacioni është vetëm njëra nga marrëveshjet”, thotë ai.
Por kritika të ashpra ndaj kryeministrit Kurti për Asociacionin adreson deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj. Ai thotë se Kurti veç emrin e tij nuk e ka ndryshuar, pasi gjitha qëndrimet e tij të mëhershme po thyhen.
Qalaj: Kurti veç emrin nuk e ka ndryshuar, pasi qëndrimet po
“Mendoj që përveç emrit që nuk e ka ndryshuar të vetin personal, unë nuk mund ta njoh kush është zoti Kurti. Emri dhe mbiemri është Albin Kurti ndërsa sa i përket qëndrimeve të tij unë nuk mund ta njoh se kush është. Realisht jo gjithmonë është keq kur i ndërron qëndrimet, e unë mendoj që ka pasur qëndrime shumë të gabuara në të kaluarën dhe mendoj që ai tash si kryeministër i Kosovës duhet të jetë shumë më pragmatik dhe e kuptoj realitetin. Prapë po e përsëris që plani si plan është bazë e mirë për bisedime mirëpo plani gjithsesi duhet ta ketë marrëveshjen për njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kur të diskutohet çështja e marrëveshjes atëherë të diskutohet edhe çështja e krijimit të Asociacionit që veç është bërë temë ose krye temë e ditës në Kosovë”, thekson Qalaj.
Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, thotë se kushtet e kryeministrit Kurti për themelimin e Asociacionit janë vetëm për politikë, pasi siç thotë deputeti opozitar, kreu qeveritar i ka thënë po “Zajedincës”.
Lekaj: Kushtet e Kurtit vetëm për politikë, ai i ka thënë po “Zajedincës”
“Kjo është vetëm sa për të bërë politikë. Unë mendoj se obligimet e shtetit të Kosovës që i ka marrë me marrëveshje ndërkombëtare nuk lëvizin, por ne e kemi bërë të qartë se asnjë asociacion që ka kompetenca ekzekutive që krijon një nivel të tretë qeverisës nuk duhet të pranohet. Tani me këto gjashtë pikëshin zotëri Kurti po mundohet të kamufloj the të thotë se kemi propozuar diçka, sa i përket ndryshimit të përmbajtës së asociacionit. Në fakt, de-facto dhe de-jure nuk ka ndryshuar fare dhe ky po e pranon një asociacion me kompetenca ekzekutive, të cilin çdo herë e ka kundërshtuar fuqishëm, kemi pasur edhe të vrarë këtë drejtim në Kosovë për t’i thënë jo “Zajednicës” dhe tani po i thotë po të madhe “Zajedincës”, vet zotëri Kurti që e ka kundërshtar fuqishëm”, deklaron Lekaj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë kësaj jave ka rikonfirmuar se pranon planin e BE-së për dialogun, si bazë e mirë për arritjen e marrëveshjes finale. Ndërkaq, ka adresuar gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Për dy prej tyre, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Bashkimi Evropian ka vërejtje, por pa i bërë publik të njëjtat. Të rezervuar për vërejtjet e tyre në këto kushte janë shprehur edhe në Bashkimin Evropian.
/TV Malisheva