Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe komandanti i stacionit policor në Malishevë, kapiten Azem Krasniqi, gjatë natës së sotme, i kanë vizituar disa nga pikat e policisë, të vendosura përreth Komunës së Malishevës, të cilët po zbatojnë masën e karantinës në komunën tonë. Berisha dhe Krasniqi, i kanë përgëzuar zyrtarët policor për punën dhe angazhimin e tyre.
“Krahas personelit shëndetësor, zyrtarët policor janë institucioni që më së shumti është duke u përballur me këtë situatë të pandemisë me COVID-19, dhe ju jeni duke bërë një punë të jashtëzakonshme dhe heroike, sepse po kujdeseni për sigurinë e përgjithshme, e sidomos asaj shëndetësore të popullatës, prandaj në emër të Komunës së Malishevës, ju falënderoj dhe ju përgëzoj për punën që jeni duke bërë”, ju ka thënë nënkryetari Berisha, zyrtarëve policor.
Edhe komandanti i stacionit policor në Malishevë, kapiten Azem Krasniqi, i ka përgëzuar të gjithë zyrtarët policor për punën e pashoq që janë duke e bërë, të cilët “jo thjeshtë por e kryejnë detyrën, por janë duke u ballafaquar me këtë situatë, me qëllimin e vetëm, krijimin e sigurisë dhe ruajtjen e shëndetit për të gjithë banorët e Komunës së Malishevës, dhe jo vetëm”.
Komuna e Malishevës nga data 14 mars, është në karantinë të plotë, dhe për këtë po kujdeset Policia e Kosovës, e cila kontrollon të gjitha hyrje-daljet në Komunën e Malishevës.

Share.