Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli kanë nënshkruar sot koalicionin parazgjedhor me të cilin do të futen në zgjedhjet e parakohshme, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Fatmir Limaj në fjalën e tij ka treguar se do të jetë kandidat për kryeministër nga ky koalicion, duke shtuar se do të shkojnë të vetëm në zgjedhje dhe se do të jenë faktor determinues për krijimin e qeverisë së ardhshme.

“Është një lajm i mirë për vendin. Lajm i mirë për politikën në vend. Një lajm që tregon se me këtë vendim të sotit, do të ndërtojmë një bosht politik, presim që të bashkohen edhe grupe tjera politike. Besoj që është shumë e rëndësishme të kemi një frymë konkstruktive. Besoj që koalicioni parazgjedhor NISMA-AKR, jep një mundësi të tillë. Unë kam nderin që do të jem kandidat për kryeministër nga ky koalicion”, ka thënë Limaj.

Ndërkohë Pacolli ka thënë se do të kenë një listë të përbashkët zgjedhore dhe se do të bëjnë një punë dinjitoze.

“AKR dhe NISMA mbrëmë kanë biseduar për koalicion. AKR dhe NISMA do të jenë në një koalicion parazgjedhor. Do të kenë një listë të përbashkët, me kandidatin e vetë për kryeministër. Do të bëjmë një punë dinjitoze”, ka thënë Pacolli./GazetaExpress/

Share.