Ministria e Punëve të Brendshme dhe EUROPOL-i kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, marrëveshje që do ta ndihmojë Kosovën në parandalimin e krimit dhe të terrorizmit.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i MPB-së, Agim Veliu. Ai tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova ka forcuar kapacitetet për parandalimin e terrorizmit dhe krimeve të rënda.

Veliu ka thënë se iniciativa për nënshkrimin e marrëveshjes me EUROPOL-in ka nisur qysh në vitin 2016.

“Sot është një ditë e veçantë për Kosovën dhe veçanërisht për policinë e Kosovës sepse me nënshkrimin e kësaj kemi forcuar kapacitetet tona për parandalimin e terrorizmit dhe krimeve të rënda. Iniciativa ka filluar qysh në vitin 2016, duke u bërë përpjekje nga institucionet e Kosovës e veçanërisht nga policia e Kosovës”.

Veliu ka theksuar se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje policisë së Kosovës do t’i ofrohet një mjet më shumë për ta goditur kriminalitetin dhe për të mbrojtur sigurinë, .

“Rajoni dhe Evropa po përballen me organizata terroriste dhe grupe kriminale. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje Policisë së Kosovës do t’i ofrohet një mjet për të goditur kriminalitetin dhe kjo do të ndikojë në ruajtjen e sigurisë. Marrëveshja sot është ajo bazë deri sa pritet të nënshkruhen edhe dy memorandume”

Nataliya Apostolova, shefe e zyrës së BE-së në Kosovë, ka thënë se marrëveshja e Kosovës me EUROPOL do ta vendosë Kosovën të barabartë me vendet e rajonit.

“Luftimi i krimit është prioritet i yni i përbashkët. Nënshkrimi i sotëm ndërmjet EUROPOL-it dhe Kosovës është se si për të luftuar krimet e rënda dhe do të jetë aset i madh për Kosovën. Ky nivel është i rëndësishëm për trajtimin e krimeve që ndikojnë në Evropë dhe Kosovë. Marrëveshja e sotme e vendosë Kosovën në vendet e barabarta me vendet e rajonit”

“Ky është eventi i fundit në Kosovë, dhe shfrytëzoj t’i falënderoj të gjithë institucionet dhe mediet për bashkëpunimin tonë dhe i uroj çdo të mirë Kosovës”, ka shtuar Apostolova./Tv Malisheva

Share.