Nepali po përpiqet ta kontrollojë shpërthimin e rasteve të reja me COVID-19, derisa është rritur frika se situata në shtetin e Himalayan mund të jetë aq e keqe, në mos më keq, sesa në Indinë fqinje.

Pas paralajmërimeve nga zyrtarët shëndetësorë këtë javë se vendi është në prag të humbjes së kontrollit të shpërthimit të pandemisë, Nepali ka bërë thirrje për ndihmë urgjente ndërkombëtare.

Ndërsa shteti aziatik regjistroi numrin më të lartë ditor të infektimeve të reja –  9,070 –  kryeministri Sharma Oli, i cili është kritikuar për menaxhimin e krizës, i kërkoi ushtrisë që të ndihmojë në menaxhimin e Qendrave Emergjente për ta hequr presionin nga sistemi shëndetësor.

Me vaksinat që janë në mungesë dhe me spitale të mbingarkuara, përhapja serioze e virusit e ka goditur kryeqytetin Kathmandu, si dhe jug-perëndimin dhe perëndimin e vendit.

Përqindja mesatare e testimeve pozitive për COVID-19 në vend është në shkallë alarmante, 47 %. Kjo përqindje është edhe më e lartë në disa zona.

“Ajo që po ndodh në Indi tani është pamja e tmerrshme e së ardhmes së Nepalit nëse nuk mund ta frenojmë këtë valë të fundit të COVID-19 që po merr më shumë jetë në çdo minutë”, tha Netra Prasad Timsina, kryetari i Kryqit të Kuq të Nepalit.

Vendi me rreth 30 milionë banorë ka vetëm rreth 1,600 shtretër në Repartin e Kujdesit Intensiv dhe më pak se 600 respiratorë për gjithë popullsinë e tij. Ka 0,7 mjekë për 100,000 njerëz, një normë më e ulët se India./TV Malisheva

Share.