Femrat çdo ditë, mesatarisht marrin rreth 57 miligramë dhe ‘hanë’ rreth pesë buzëkuq të plotë në vit, sipas organeve të BE-së që merren me përbërjen dhe sigurinë e tyre për përdoruesit.

Punonjësit që testojnë kozmetikë dhe produkte të ngjashme në organizatën gjermane për mbrojtjen e konsumatorit Stiftung Warentest, vendosën të studiojnë më nga afër disa përbërës të buzëkuqit dhe zbuluan se ngjyrosja artificiale ushqimore dyoksid titani gjendet në të 17 buzëkuq të testuar, pavarësisht nëse është një kozmetikë e lirë ose e shtrenjtë, ose që shitet si “natyrale”.

Nëse substanca e përmendur merret në organizëm në baza ditore, sipas studimeve të reja shkencore, mund të ketë një efekt gjenotoksik afatgjatë, të ndikojë në çrregullimin e sistemit imunitar si dhe në shfaqjen e sëmundjeve tumorale.

Dyoksidi i titanit, i cili prej kohësh konsiderohet i sigurt, nuk është më në listën e përbërësve të sigurt për përdorim në dietën e Autoritetit Evropian të Sigurisë Ushqimore (EFSA) që nga maji 2021.

Përveç industrisë fitimprurëse të kozmetikës, metali i titanit në formën e dyoksidit përdoret më së shpeshti për të ngjyrosur produktet e qumështit dhe ëmbëlsirat, çamçakëzët dhe produktet e bukës dhe salcat. Janë fëmijët ata që janë më të ekspozuar ndaj efekteve të këtij përbërësi kimik. Marrja mesatare ditore e dyoksidit të titanit për të rriturit është rreth gjysmë miligram për kilogram të peshës trupore, dhe te fëmijët kjo marrje është dhjetë deri në njëzet herë më e lartë.

Ndryshimi më i rëndësishëm në aplikimin e dyoksidit të titanit është një mënyrë e re e prodhimit të tij teknologjik. Ngjyra “e vjetër” e titanit ishte një përbërje kimike klasike, dhe dyoksidi “i ri” i titanit prodhohet në nanoformë. Dyoksidi i grimcuar i nanotitaniumit kalon lehtësisht barrierat mbrojtëse biologjike, të tilla si muri i zorrëve ose pulmonar, dhe depozitohet në shumë organe të brendshme.

Konsumatorët mund të zbulojnë nëse ka dyoksid titani në buzëkuq duke kërkuar kodin e përbërësit në paketim – CI 77891, pranë të cilit ndonjëherë shkruan “dyoksid titani”.

Aktualisht kjo substancë po i shtohet ende shumë buzëkuqit në treg, thotë Thomas Koppmann, kreu i projektit gjerman të testimit dhe vlerëson se kjo do të ndryshojë shumë shpejt pas rivlerësimit të EFSA. /TV Malisheva

Share.