Analisti politik, Artan Behrami, ka thënë se nëse janë të vërteta pretendimet e presidentit të Serbisë se Kosovës do t’i hiqen nëntë njohje, atëherë meritat duhet t’i jepen kryediplomates së Kosovës.
“Nëse dalin pretendimet e Vuçiqit për çnjohjen e nëntë shteteve të vërteta, atëherë meritat nuk i ka as Vuçiqi e as Daciqi, por i ka Donika Gërvalla”, ka shkruar ai.
Për këtë ai thotë se Gërvalla i ka hequr nga pozita diplomatët me përvojë që kanë qenë duke punuar me shtetet ku kanë ushtruar ndikimin e tyre Serbia dhe Rusia.
“Donika i ka larguar të gjithë diplomatët që kanë pasur përvojë dhe kanë menaxhuar shtetet, të cilat kanë qenë nën trysninë e Rusisë dhe Serbisë. Derisa ata pak diplomatë që kanë mbetur, Donika i ka izoluar dhe çdo ditë ushtron presion ndaj tyre. Në krejt mandatin e saj, Donika është marrë me etablimin e klubeve të diasporës, duke hequr dorë nga njohjet dhe anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare!”.
Në fund, ai ka ironizuar me një deklratë të presidentes Vjosa Osmani.
Po qysh ka thënë edhe presidentja Osmani: “ Kosova, më në fund, ka politikë të Jashtme”./TV Malisheva
Postimi i plotë:
E di që strategjia e Qeverisë Kurti tash është me thënë që Vuçiqi po rren. Edhe kjo nuk do të ishte hera e parë as e fundit që Vuçiqi rren. Plus kryeministri e shtron pyetjen magjike: “A jeni me mua apo me Vuçiqin”.
Por, procesi i njohjeve është më kompleks dhe nuk mund të përkufizohet në një pyetje e as në një përgjigje.
Tash e dy vjet, Kurti dhe Osmani janë duke amnistuar ministren Gërvalla.
Osmani dhe Kurti janë të vetëdijshëm që kjo ministre është duke e shkatërruar MPJ-në, bashkë me të edhe politikën e Jashtme.
Largimi i Gërvallës do ta trazonte koalicionin. Andaj ata kanë vendosur interesat partiake mbi interesat e Kosovës.
Ata kanë menduar se politika e Jashtme, se ministria e Jashtme mund të zëvendësohen me vizita kurtuazie në shtete të ndryshme të botës.
Vjosa Osmani ka menduar se paaftësinë e Donikës e mbulon me albume fotografish me liderë botërorë, duke e reduktuar politikën e Jashtme në ekspedita personale.
Serbia ka shfrytëzuar mungesën e seriozitetit të Kosovës në politikë të Jashtme. Shumica e misioneve tona diplomatike janë boshatisur nga Gërvalla. Në vend të procesit të njohjes, Donika është marrë kush sa letra të bardha po i harxhojnë zyrtarët e MPJ-së.
Ajo asnjëherë nuk e ka lexuar Strategjinë për Njohje, e cila Kosovës dikur ia siguronte 3-4 njohje brenda muajit. Ajo asnjëherë s’e ka lexuar Strategjinë për Diplomaci Digjitale, e cila e kishte vendosur Kosovën në hartën botërore në Facebook, Apple etj.
Tani është momenti i fundit që Kurti, Osmani dhe Konjufca të ulen dhe ta zëvendësojnë këtë ministre me dikë që ka përvojë në diplomaci, që ka qenë pjesë e shtetndërtmit dhe e forcimit të subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës.
Politika e Jashtme duhet të jetë pika më përbashkuese në Kosovë, jo epiqendër e urrejtjes dhe inateve primitive!