Nesër është data më optimale kur KQZ pritet t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

Kështu ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Sipas tij KQZ do të veprojë në përputhje me ligjin, lidhur me shpalljen e rezultateve përfundimtare.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë në përputhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme lidhur me shpalljen e rezultateve përfundimtare. Ligji për zgjedhjet e përgjithshme e lejon mundësinë që të bëhet ankesë brenda 24 orëve në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Prandaj, duke e ditur se të martën rreth mesnatës është përbmyllyur procesi i numërimit të fletëvotimeve sipas vendimit të Gjykatës Supreme, KQZ-ja është e obliguar që të respektojë këtë afat ligjor”, ka thënë ai.

Elezi thotë se KQZ do të komunikojë me inistitucionet përkatesë për të marrë konfirmim se nuk ka ndonjë çështje në shqyrtim, dhe pasi të sigurohet se nuk ka më ankesa, atëherë rezultatet përfundimtare do të shpallen nesër.

“Ashtu siç ju kemi informuar, KQZ-ja do të komunikojë me institucionet përkatëse për të marrë konfirmim se nuk kanë ndonjë çështje në shqyrtim dhe pastaj do të mund të shpall rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve. Nëse nuk do të ketë ankesa brenda këtij afati, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i shpall rezultatet përfundimtare gjatë ditës enjte (7 nëntor)”, ka thënë ai.

Ndryshe, sot bëhen zyrtarisht një muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Republikën e Kosovës.

Fituese e këtyre zgjedhjeve është Vetëvendosje e cila me numërimin edhe të votave të diasporës, fitoi 32 ulëse në Kuvend.

Share.