Rreth 29 mijë fëmijë ulen për herë të parë në bankat e shkollës këtë vit për të mësuar me abetaren e re mbarëkombëtare në Shqipëri.

Të hënën e 12 shtatorit rreth 435 mijë nxënës në arsimin parauniversitar i rikthehen mësimit normalisht.

Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Evis Kushi i uroi përmes nje videomesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale.

Pas dy vitesh të vështira pandemie ky vit do të nisë pa masat anti-Covid, por jo pa disa prej problemeve të vjetra që kanë shoqëruar arsimin në vend ndër vite.

Në Tiranë ku pritet  të nisin vitin e ri shkollor rreth 110 mijë nxënës, mësimi do të zhvillohet sërish me turne, të paktën në  22 shkolla.

Me hapjen e 12 shkollave të reja në kryeqytet ulet ngarkesa në klasa, por nuk eliminohet mësimi deri në orët e vona të pasdites. Por këtë vit do të këtë dhe risi. Në videomesazhin e shpërndarë nga ministrja e Arsimit tregohen disa prej tyre.

Mësuesit ndihmës, detyrat e shtëpisë dhe teknologjia e informacionit në klasë të parë, do të jenë disa nga të rejat.

Sistemit arsimor do t’i shtohen 253 punonjës psikosocial dhe 70 oficerë sigurie. Përveç shkollave 9- vjeçare këta të fundit do të jenë të pranishëm dhe në gjimnazet me numër të lartë nxënësish.

Tekstet shkollore ashtu si dhe vitet e shkuara janë shpërndarë falas  për  nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntë.  Megjithëkëtë shumë prindër i kanë refuzuar librat e vjetër dhe kanë vendosur t’i blejnë të rinj. Tekste të reja pa i paguar kanë marrë vetëm nxënësit e klasave të para dhe të pesta./TV Malisheva

Share.