Paketa e gjashtë e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, e cila përfshin një embargo për dërgesat e naftës ruse në cisternat e vendeve anëtare, mund të miratohet më 1 ose 2 qershor, njoftoi sot Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
“Mund të konfirmoj se teksti i ligjit tashmë është duke u redaktuar dhe se është çështje orësh. Ne presim që teksti i ligjit të miratohet nesër mbrëma ose pasnesër”, tha Michel.
Në samitin e BE-së u arrit një marrëveshje për paketën e gjashtë të sanksioneve kundër Rusisë pas debateve që zgjatën për gati një muaj.
Përveç embargos ndaj naftës ruse, në listën e paketës së gjashtë të sanksioneve pritet të jetë edhe përjashtimi i Sberbank dhe dy bankave të tjera ruse nga sistemi SWIFT, si dhe ndalimi i transmetimit të programeve për tri kanale televizive ruse në BE.