Nesër kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të takohet në Shkup me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Ky takim është në kuadër të iniciativës për bashkëpunim të njohur si “Mini Shengeni”.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë në Shqipëri, Anila Denaj thotë se prej kohësh janë duke diskutuar se si të përmirësojmë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave. Ajo shton se kjo nismë ofron mundësinë e një krijimi të një tregu të përbashkët rajonal.

“Jemi një treg me 18 milionë banorë, një treg potencialisht shumë më atraktiv se sa një vend me 2,8 milionë apo 3 milionë apo 5 milionë. Kemi gati tre vjet brenda CEFTA-s, që është një forum i ndihmuar nga BE për të organizuar operacianalisht lëvizjet tona, përmes administratave tona, modeleve të riskut, njohjes së certifikatave të arsimit profesional. Ne po flasim që vijmë me disa punë të bëra dhe kemi ende punë për të bërë. Për të njëjtin funksion, për të zgjeruar bashkëpunimin, për të zgjeruar tregun dhe mbi të gjitha për të rritur mundësinë e mirëqenies së qytetarëve tanë kudo që janë ata në Tiranë, Shkup, apo vende të tjera”, deklaron ajo.

Sipas të dhënave së Forumit ekonomik, pjesëmarrës në këtë takim janë rreth 300 kompani, prej tyre 175 nga Serbia, 79 nga Maqedonia e Veriut, 28 nga Shqipëria. /TV Malisheva

Share.