Në vijim të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori pjesë në pritjen e organizuar në New York, me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, një ndër organet më të rëndësishme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes kombeve.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve theksoi se “Anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë, që shënon edhe një tjetër gur themelor në rrugën tonë të transformimit për të përmbushur aspiratat tona si komb dhe për të kontribuar që ta bëjmë botën një vend më të mirë për ne dhe për të gjithë.”

Kryefjalë e fjalimit të kryeministrit ishte paqja, dialogu dhe vlerat. Misioni i Shqipërisë, theksoi Rama, është që të çojë në Këshillin e Sigurimit zërin, vlerat dhe normat e saj, si kontribut për paqen. Kryeministri theksoi se Këshilli është krijuar për të ngritur zërin e për të ndërhyrë në shërbim të vlerave, kur ndodhin shkelje flagrante.

“Ne jemi angazhuar të sjellim zërin, vlerat dhe normat tona në punën e përbashkët të Këshillit të Sigurimit, si kontribut për paqen. Ne dëshirojmë të ndajmë me të tjerët përvojat e jetuara, mësimet e marra.”, tha Rama.

/TV Malisheva

Share.