Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia ka bërë të ditur masat e reja që do të hyjnë në fuqi nga data 15 prill, duke filluar nga ora 6.00, si pjesë e luftimit të përhapjes së mëtejme të koronavirusit në Kosovë.

Ai gjatë një konference për media ka thënë se me këto masa janë ndërmarrë me rekomandimin e IKSHPK-së dhe pas diskutimeve me ministrat e MEPTINIS, MPB dhe MAPL, në bashkëpunim edhe me kryetarët e komunave.

Si pjesë e këtyre masave, qytetarët do të mund të dalin jashtë shtëpive vetëm një herë në ditë dhe atë për vetëm një orë e gjysmë sa për të kryer furnizimet me artikuj të domosdoshëm ushqimor ose obligime tjera financiare.

Vitia: Prej datës 15 prill ndalohet qarkullimi i personave fizik jashtë shtëpive

“Prej datës 15 prill 2020, prej orës 6 të mëngjesit ndalohet qarkullimi i personave fizik jashtë shtëpive dhe banesave të tyre në komuna, përveç rasteve në vijim: për personat fizik mbi 16-vjeç lejohet qarkullimi për nevoja si furnizim me ushqim, barna apo produkte higjienike, kafshë apo edhe shpezë dhe për të kryer punët apo pagesat bankare për vetëm një orë e gjysmë në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal. Për shtetasit e huaj orari i daljes bazohet në shifrën e parafundit në numrit e pasaportës. Gjatë qarkullimit të personave me mallra nuk lejohet shoqërim nga asnjë person tjetër, përveç në dy raste personat me aftësi të kufizuar që mund të shoqërohen nga mjek apo familjar, dhe personat nën 16-vjeç me kushte q ë të jenë të shoqëruar nga një familjar në të njëjtën shtëpi apo një banesë. Për shkak të rrezikut të lartë që personat në moshë 65 të mos dalin nga shtëpia dhe banesa përveç në raste urgjente. Shumica e qytetarëve do ta kenë mundësinë e daljes nga shtëpia një herë në ditë një orë e gj ysmë për të kryer furnizimin me mallra të domosdoshme dhe detyrat financiare”, tha ministri Vitia.

Për të ruajtur funksionimin veprimtaritë e ekonomisë, ministri Vitia shtoi se janë pajtuar të ketë përjashtime për mundësimin e qarkullimit të lirë për operatorët ekonomikë dhe institucioneve të parapara me këtë aneks, i cili do të bëhet i ditur nesër.

Vitia: Do të ruajmë funksionimin e veprimtarive të ekonomisë

 

“Për të ruajtur funksionimin veprimtaritë e ekonomisë jemi pajtuar t’i bëjmë disa përjashtime. Me dokumentin nga ATK dhe konfirmimin nga ATK mundësohet qarkullim i lirë për operatorët ekonomikë dhe institucioneve të parapara në aneksin një të këtij vendimi. Të gjitha këto anekse do të bëhen publike dhe do të njoftohen ata operator që u lejohet një gjë e tillë. Transporti i lirë i mallrave dhe shërbimeve për të siguruar zinxhirin e furnizimit nga lënda e parë në prodhim, përpunim , shërbim e deri te transporti i produkteve dhe shitja te konsumatori i fundit. Në listë do të jetë edhe një aneks tjetër që do të bëhet nesër publike”, u shpreh ministri Vitia.

Ministri Vitia tha se do të kenë përjashtime nga lista edhe për personat fizikë që lejohen të dalin në raste tjera urgjente, sikurse që janë vizitat mjekësore, apo për persona me aftësi të kufizuar.

Vitia: Ndalohet rreptësishtë dalja nga shtëpitë për çfarëdo lloj arsye tjetër

 

“Me leje të veçantë të qarkullimit dhe vetëm për të kryer nevojat e institucioneve, lejohet qarkullimi për stafin esencial të institucioneve shtetërore në listën e institucioneve në listën e bashkëngjitur të aneksit dy të këtij vendimi. Në raste urgjente të shëndetësisë lejohet dalja nga shtëpia, banesa për të kërkuar trajtim mjekësor në një institucion shëndetësor. Lejohet qarkullimi në raste për persona fizikë kur është e domosdoshme për t’u kujdesur për persona të sëmurë apo persona me aftësi të kufizuar. Ndalimi i qarkullimit të personave fizikë jashtë shtëpive apo banesave të tyre nuk zbatohet gjatë dhunës së tyre familjare. Viktimave të dhunës familjare u lejohet të dalin nga shtëpitë apo banesat e tyre për të kërkuar strehim në një lokacion tjetër alternativ. Ndalohet rreptësishtë dalja nga shtëpitë apo banesat për çfarëdo lloj arsye tjetër përveç arsyeve të lartcekura, duke përfshirë këtu edhe takime shoqërore, vizita familjare dhe të tjera”, tha ai

Share.