Që nga janari e deri në fillim të dhjetorit, Klinika e Gjinekologjisë ka pasur 7 mijë e 253 lindje, prej tyre me prerje cezariane janë mbi 2800, ndërsa pjesa tjetër ka qenë me lindje normale, raporton Ekonomia Online.
Këto statistika i ka dhënë drejtori i kësaj klinike, Zef Ndrejaj për Ekonomia Online, teksa ka thënë se prej tyre janë 3675 meshkuj dhe 3787 femra.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Ndrejaj, ka thënë se kjo shifër nuk ka shumë dallime nga vitet paraprake sa i përket ardhjes së foshnjave në jetë. Në këtë klinikë kanë lindur binjakë e trinjakë.
“Numri i lindjeve deri më sot është 7253 lindje gjithsej duke marrë për bazë numrin e lindjeve paraprake është numër që sillet njëjtë pothuajse, nuk kemi ndonjë rënie apo ngritje të lindjeve, ndërsa prej tyre numri i lindjeve është 3675 meshkuj dhe 3787 femra, lindje me binjakë janë 215, ndërsa me trinjakë 9 lindje prej numrit të përgjithshëm të lindjeve me prerje cezariane janë kryer 2802 lindje”, ka thënë Ndrejaj.
Ndonëse numri i lindjeve me prerje cezariane është shtuar viteve të fundit, Ndrejaj nuk e sheh shumë të shëndetshme. Thotë se nga lindja normale, pasojat janë më të pakta.
“Në bazë statistikave që i kemi në bazë të numrit të lindjeve dhe krahasimit me vitet paraprake është aty nuk kemi rritje të madhe mirëpo është trend botëror kjo lindja cezariane, sepse ndikojnë shumë faktorë kërkesat e vazhdueshme të qiftit ose nëna që të krehët lindja me prerje cezariane e cila gjoja më e mirë më e shpejtë, por jo nuk qëndron ashtu sepse lindjet normale janë më të lehta më shpejt përmirësohet pacientja sepse pasojat janë më të pakta por është në rritje numri i lindjeve cezariane për shumë arsye”, thotë Ndrejaj.
Si çdo klinikë që përballet me mungesë të anesteziologëve, as Gjinekologjia nuk është imune, pasi vërehet numri i operacioneve. Por krahas mungesës së anesteziologëve, kjo klinikë ka mungesë edhe të stafit të mesëm.
“Pa dyshim mungesa e anesteziologëve ndikon edhe në punën tonë sepse edhe ne e ndiejmë mungesën pra nga numri i operacioneve mirëpo varësisht ne nuk kemi shumë problem me anesteziologë se kemi numër të mjaftueshëm po flas për klinikën tonë dhe janë të koordinuar shumë mirë me gjinekologët me punët që i kemi dhe deri tash nuk ka pasur asnjë rast prej rasteve me operacion që ka dështuar për shkak të anestezionit, mungesë ka por jo në masë të madhe që ndihet në punën tonë mungesën e kemi më të madhe sepse stafi ka filluar që të vjetërsohen janë në moshë të shtyrë edhe që hupin funksionet e punës sepse është punë e rëndë e suksesshme sepse detyrohen të marrin pushim mjekësor dhe me pas një koordinim që mos me marr pushim mjekësor dhe këtu i kemi problemet më të mëdha ndërsa për mungesë në tërësi të stafit nuk kem ndoshta na nevojitet edhe një numër i vogël që të kryhet puna si duhet jemi në koordinim me Drejtorinë Qendrore që ndoshta në vitin e ardhshëm të kërkojmë ndoshta 15 apo 20 mami pra infermiere që ta kryejnë punën mirë dhe të jenë në nivel të detyrave”, u shpreh ai.
E me ardhjen në këtë pozitë, Ndrejaj thotë se ka filluar t’i bëjë disa ndryshime, me qëllim që klinika të funksionojë sa më mirë. Thotë se në Gjinekologji janë duke u bërë ndryshime që nuk kanë ekzistuar për 20 vite.
“Furnizimi është i mirë pak kushtet infrastruktura është më e vjetër, deri tash nuk kem pasur ndonjë renovim total apo të mirëfillte janë disa që janë bërë sa për sy e faqe vetëm sa për të mbuluar diçka por jo në atë nivel të këndshëm që ne kemi pasur dëshirë. Jemi duke punuar edhe në atë drejtim në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë edhe me Drejtorinë Qendrore që të fillohet brenda 1 jave apo 2 nuk po e di saktë, besoj që deri nga fundi i javës do të nënshkruhet kontrata me operatorët dhe do fillojë shpejtë renovimi i tri reparteve në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, renovimi i hyrjes kryesore me oborrin dhe hyrjes kryesore të klinikës me ambulancën specialistike dhe zyrën e pranimit, renovimi i korridoreve në tërësi dhe renovimi i dy reparteve të lehonave me prerje normale dhe me prerje cezariane tenderi vetëm se është mbyllur por vetëm deri sa fillon”, thotë Ndrejaj për EO, teksa tregon se në cila pjesë do të intervenohet.
“Jemi diku duke folur për një kapital një punë të madhe që do bëhet 2 milionë e 400 mijë buxhet që do shfrytëzohen për renovimin e Gjinekologjisë këto mjete në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë sepse edhe ata janë shumë të interesuar që të zhvillohet infrastruktura. Për QKUK nuk do të rinovohet vetëm Klinika e Gjinekologjisë pritet edhe renovimi i Klinikës së Urologjisë dhe fillon edhe aty shumë shpejtë brenda javës, Klinika e Kardiologjisë vetëm se e ka filluar renovimin do fillojë brenda 1 ose 2 jave renovimi i Klinikës së Qendrës Emergjente edhe Klinika e Onkologjisë është në renovim është një investim i madh nga Ministria e Shëndetësisë sepse asnjëherë deri tash nuk janë bërë investime më të mëdha dhe ne pranverë shihen investimet e mëdha edhe përmirësimi i dukshëm në klinika”, u shpreh ai.
/TV Malisheva