Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës nga një muaj paraburgim ndaj të pandehurve B.K. dhe L.S., shtetas kosovarë, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale keqpërdorimi i pozitës, marrja e ryshfetit dhe kontrabandimi i mallrave.
I pandehuri B.K. nga tetori 2020-18.05.2021, në pikën kufitare në Han të Elezit, si zyrtar doganor pranë Doganës së Kosovës, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete ose për personin tjetër, me dashje nuk i përmbush detyrat zyrtare, në atë mënyrë që derisa është në detyrë, e njofton të pandehurin L.S. për kohën kur është i caktuar në trakë për kontrollimin e automjeteve dhe qytetarëve me rastin e kalimit të kufirit, me ç’rast i mundëson të pandehurit që ta kalojë pikën kufitare duke kontrabanduar mallra përmes Maqedonisë Veriore për në Kosovë, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit.
Ndërsa më 18.05.2021, në pikën kufitare në Han të Elezit, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon dhe pranon ryshfet nga i pandehuri L.S., ashtu që nga i njëjti me rastin e kalimit të kufirit pranon shumën e përgjithshme të të hollave prej 70 eurosh, duke i mundësuar kështu kalimin e pikës kufitare pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit.
I pandehuri L.S. dyshohet se nga tetori 2020-18.05.2021, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka bartur mallra dhe ka kaluar vijën kufitare duke shmangur kontrollin doganor, në atë mënyrë që me rastin e ndaljes dhe kontrollit nga hetuesit doganor, në veturën e të pandehurit, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e barnave prej 15 artikuj, përkatësisht 1.385 pako si dhe 248 copë, ndërsa me rastin e kontrollit të depos, pronë e të pandehurit, gjenden dhe sekuestrohet edhe një sasi e barnave prej 359 artikuj, gjithsej 16.290 pako.
Po ashtu i pandehuri dyshohet se më 18.05.2021, në pikën kufitare në Han të Elezit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ofron dhuratë të paarsyeshme apo përftim tjetër personit zyrtar, përkatësisht zyrtarit doganor B.K., në mënyrë që i njëjti të veprojë në kundërshtim me detyrat zyrtare, ashtu që i jep shumën e të hollave prej 70 eurove, për çka edhe ishin marrë vesh paraprakisht përmes telefonit, me qëllim që të mos i nënshtrohet procedurave ligjore të kontrollit kufitar.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./TV Malisheva