Shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela ka deklaruar se qëllimi i Serbisë nuk është të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.

Kjo pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, edhe pasi është raportuar të ketë pasur progres në dialogun Kosovë-Serbi, është shprehur kundër që Kosova të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Qëllimi i Serbisë nuk është të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Është për të normalizuar rolin e saj hegjemonist dhe prishës në Kosovë dhe më gjerë në rajon. Prandaj Vuçiq do të bëjë gjithçka për të minuar çdo përpjekje serioze për një marrëveshje me Kosovën. Jo më qetësues, është koha për pasoja’, ka shkruar ai në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë takuar më 27 shkurt, në Bruksel.

Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se në atë takim ka pasur progres.

Por marrëveshja e planit franko – gjerman nuk është nënshkruar dhe një takim në Ohër është planifikuar për 18 mars.

/TV Malisheva

Share.