KEDS ka bërë të ditur se ka pranuar urdhëresën nga Qendra Nacionale Dispeçerike e Kosovës, pjesë e KOSTT, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e ditës së hënë – datë 15 gusht.
Në komunikatën e KEDS-it thuhet se këto kufizime, në bazë të planit të dërguar, do të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumatorët, të cilët gjatë ditës së hënë do të kenë nga 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime.
“Prej nesër, vendi do të furnizohet vetëm nga prodhimi vendor. Kjo, pasi KEDS dhe KESCO nuk kanë mundësi financiare më që të nominojmë energji jashtë asaj që prodhohet nga gjeneratorët vendorë. Deri te kjo situatë ka ardhur për shkak të çmimeve enorme që ekzistojnë në tregjet ndërkombëtare dhe mos mbulimit të kostos së sistemit. Kjo ka sjellë situatë të rëndë financiare edhe për KOSTT-in, të cilën ENTSO nuk e lejon më të bëjë devijime. Kjo bën që secila kërkesë mbi prodhimin vendor të kufizohet në pamundësi të mbulimit nga importi”, thuhet në komunikatë.
“Energjia elektrike e blerë deri sot ka shkaktuar humbje enorme si për KEDS-in, ashtu edhe për KESCO-n. Të dy kompanitë vitin e fundit e kanë mbyllur vitin me humbje të mëdha financiare, njëra 27.8 milionë euro, e tjetra 18.5 milionë euro, në një total që shkon në mbi 46 milionë euro humbje”, thuhet më tej në komunikatë.
KED thotë se gjatë shqyrtimit të jashtëzakonshëm tarifor, rregullatori kishte marrë parasysh subvencionin e qeverisë prej 100 milionë eurosh, por asnjë cent nga ajo shumë nuk është shpërndarë te furnizuesi, gjë e cila e ka rënduar gjendjen edhe më tepër.
“Sot, disa muaj pas, të gjitha mundësitë financiare janë shteruar. KEDS dhe KESCO nuk mund të bartin më të vetme barrën e krizës botërore energjetike dhe pasojat e saj në Kosovë. Kërkohet me urgjencë edhe veprimi i akterëve tjerë në mënyrë që së bashku ta përballojmë këtë krizë”, përfundon komunikata.
/TV Malisheva