Pas pesë ditëve tretman mjekësor, fëmija 6-vjeç nga Malisheva, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve që ka marrë, kur e ka nisur i vetëm veturën në oborrin e shtëpisë.
Drejtori i Policisë Rajonale të Gjakovës, ka treguar se më datë 10 korrik një fëmijë i moshës 6-vjecare ka hipur i vetëm në veturën që ishte e parkuar në oborrin e tij. Fëmija, sipas Graishtës, kur e ka parë që vetura po lëviz, ka kërcyer nga ajo dhe ka marrë lëndime të rënda.
“Rasti ka ndodhur në datën 10 korrik. Një fëmijë 6 vjeçar ka marrë veturën , pa dashur dhe pavetëdije e ka lëshuar në lëvizje. Kur e ka parë se vetura është në lëvizja, ka kërcyer nga ajo dhe ka marrë lëndime të rënda trupore”.
Graishta ka thënë se fëmija është dërguar për mjekim në QKUK në Prishtinë, por ka arritur të jetojë vetëm edhe pesë ditë.
“Ai ka qenë në tretman mjekësor në QKUK deri mbrëmë kur ka vdekur”.
Sic ka treguar drejtori i Policisë, rasti cilësohet si lëndim aksidental dhe se për momentin nuk ka të dyshuar, që janë përfshirë në këtë rast. / Tv Malisheva