Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të të shtënave me armë që ka ndodhur në Junik.

Përmes një komunikate për media është bërë e ditur se më datën 18.10.2019, rreth orës 14:30, Policia e Kosovës, konkretisht, Stacioni Policor Junik, është njoftuar se në qendër të Junikut ka të shtëna me armë zjarri.

Njësitet policore menjëherë ju kanë përgjigjur rastit, është bërë rrethimi i perimetrit ku gjendej i dyshuari në mënyre që të sigurohej që qytetarët të mos pësojnë nga të shtënat, meqë i dyshimti ishte identifikuar dhe mbante revolen në dorë.

Policia në vendngjarje e kanë urdhëruar të dyshimtin të lëshoj armën nga dora, por i njëjti edhe në prezencën e Policisë kishte shti disa herë në ajër (lartë).

Reagimi Policor ka qenë i menjëhershëm dhe i dyshuari: Xh.Sh. i lindur me 1975 m/k/sh, është arrestuar në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe arma e përdorur në rast është sekuestruar.

Nga të shtënat në këtë rast nuk ka persona të lënduar.

Vendit të ngjarjes iu janë përgjigjur njësitet relevante të Policisë së Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorin e shtetit, janë duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes për të mbledhur prova dhe dëshmi të nevojshme.

Share.