Pas ngjarjeve të ndodhura në veri të Kosovës, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka ngritur gjendjen e gatishmërisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe spitalet e përgjithshme.
Gatishmëria është ngritur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës dhe atë të Vushtrrisë.
Njëkohësisht, ShSKUK njofton se mbrëmë mjekët e Spitalit të Mitrovicës dhe pastaj ata të QKUK-së, kanë trajtuar policët e plagosur të cilët pas ekzaminimeve mjekësore dhe ndërhyrjeve të nevojshme janë jashtë rrezikut për jetë.
ShSKUK ka shprehur ngushëllime të thella për familjen e policit të vrarë dhe të plagosurve iu uroi shërim të shpejtë.
Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ndërsa Alban Rashiti ka mbetur i plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore.
/TV Malisheva