Ҫmimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhduan të rriten edhe gjatë muajit të kaluar, duke e ҫuar normën vjetore të inflacionit në 7.9 për qind.
Kjo është rritja më e madhe vjetore që nga viti 1982 dhe një ndryshim i konsiderueshëm nga norma 7.5 për qind e raportuar në janar.
Rritja e çmimeve për energjinë, ushqimet dhe strehimin tejkaluan rritjen e pagave, duke reduktuar të ardhurat e konsumatorëve familjarë.
Rezerva Federale pritet që të rrisë normat e interesit në mbledhjen e këtij muaji.
SHBA-ja dhe shumë pjesë të tjera të botës kanë qenë duke u përballur me një inflacion të lartë për muaj me radhë, pasi një rritje e kërkesës, e nxitur pjesërisht edhe nga ndihmat ekonomike gjatë pandemisë COVID-19, u ndesh me kufizime në anën e ofertës, me mungesën e fuqisë punëtore dhe me problematika të tjera.
Lufta në Ukrainë vetëm sa i ka shtuar problemet, duke nxitur një rritje globale të çmimeve të energjisë, sepse Perëndimi dhe aleatët e tij po evitojnë blerjen e naftës nga Rusia, e cila ofron rreth 7 për qind të furnizimit botëror me naftë.
Gjatë 12 muajve të fundit, indeksi i energjisë është rritur më shumë se 25 për qind, ndërsa benzina është rritur me plot 38 për qind./TV Malisheva