Rritja e vogël e shkallës së ekspozimit të njerëzve ndaj ndotjes së ajrit është e ndërlidhur me shtimin e jashtëzakonshëm të rasteve të depresionit dhe ankthit, ka treguar të hënën një studim i kryer me të rriturit në Britaninë e Madhe.
Studiuesit kanë zbuluar se rritja e jashtëzakonshme e dyoksidit të nitrogjenit, prodhuar kryesisht nga makinat që djegin naftë, ka ndikuar në ngritjen e nivelit të rrezikut për çrregullime mendore për 39 për qind. Për sa u përket ndotjeve me grimca të vogla të cilat burojnë nga djegia e karburanteve, nga frenat dhe pluhuri i gomave, rreziku është rritur për 18 për qind.
Shkencëtarët kanë zbuluar po ashtu se njerëzit që jetojnë në vende me nivele më të larta të ndotjes kanë dyfish më shumë gjasa që të përjetojnë probleme mendore, krahasuar me ata që jetojnë në mjedise më pak të ndotura. Ata kanë bërë të ditur se faktorët e tjerë janë po ashtu të rëndësishëm për sa i përket shëndetit mendor, si gjenetika dhe përvojat në fëmijëri, por kanë shtuar se, për dallim prej tyre, ndotja e ajrit mund të parandalohet. Në kuadër të studimit kam përcjellë më shumë se 1.000 të rritur në jugperëndim të Londrës për pesë vjet radhazi, mirëpo rezultatet janë më relevante për qytetet e vogla kudo përreth botës.
Në Mbretërinë e Bashkuar pothuajse secila hapësirë urbane ka nivele të ndotjes mbi normën e lejuar të udhëzuesit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe se përreth gjithë botës më shumë 90 për qind e njerëzve thithin ajër të ndotur. “Ndotja e ajrit nuk është faktori i vetëm që mund të ketë ndikim në praninë e çrregullimeve mendore, por është i parandalueshëm”, ka thënë Ioannis Bakolis, profesor në Kolegjin Mbretëror të Londrës, i cili ishte në krye të studimit.
“Zbatimi i masave për ta reduktuar ndotjen e ajrit mund ta paraqesë një masë të rrallë dhe potencialisht me ndikim për shëndetësinë, pikë së pari në parandalimin e çrregullimeve psikiatrike”.
Ian Mudway, ligjërues në Kolegjin Mbretëror të Londrës dhe pjesë e ekipit studiues, ka thënë se shkalla e çrregullimeve mendore duhej të ishte më e lartë në zonat urbane, për shkak të privimit dhe mungesës së hapësirave të gjelbra.
“Por, gjëja më e rëndësishme lidhur me këtë studim është se kur kontrollohen gjitha këto tipare të tjera të mjedisit urban dhe faktorët socio-ekonomikë, shenja e ndotjes së ajrit vazhdon. Është ky një zbulim shumë i fuqishëm”, ka shtuar ai.
Banka Botërore ka përllogaritur se ndotja e ajrit i kushton ekonomisë globale rreth 5 trilionë dollarë në vit, por këtu përfshihen vetëm dëmet që u shkaktohen mushkërive dhe zemrës nga ajri i papastër.
“Kemi tani dëshmi më të shumta që sugjerojnë se ndotja e ajrit nuk është e mirë as për trurin”, ka thënë Mudway.
“Mund ta kemi minimizuar në fakt ndikimin e fshehur të ndotjes së ajrit te shëndeti ynë për të gjithë njerëzit”.
Studimi i fundit ka ndërlidhur ajrin e ndotur me rritjen e shkallës së vetëvrasjeve dhe ka treguar se rritja në mjediset me ajër të ndotur i zmadhon rreziqet nga çrregullimet mendore. Një studim tjetër ka treguar se ndotja e ajrit shkakton zvogëlim “të jashtëzakonshëm” në inteligjencë dhe lidhet me demencien. Një rishikim global i ndërmarrë më 2019 kishte konstatuar se ndotja e ajrit mund të dëmtojë çdo organ të trupit të njeriut. /TV Malisheva