Në qendrat e vaksinimit kundër COVID-19 në të gjithë territorin e Kosovës ka nisur vaksinimi masiv. Për këtë janë angazhuar 279 ekipe vaksinimi të shtrira në tërë vendin, nga 89 sa kanë qenë. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia njoftoi se deri në fund të këtij muaji do të arrijë kontingjenti i parë me dozat e vaksinave të kontraktuara me kompaninë Pfizer.

Vitia, gjatë vizitës në qendrën e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë, tha se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Ministri i Shëndetësisë deklaroi se me dozat që kanë në dispozicion dhe ato që pritet të vijnë synohet të vaksinohen deri në 500 mijë qytetarë brenda muajit.

“Tani për momentin kemi një numër relativisht komod të vaksinave në stoqet tona dhe shumë shpejtë deri në fund të muajit pritet të vijë edhe kontingjenti i parë i vaksinave nga kontrata të cilën e kemi siguruar si qeveri me kompaninë Pfizer, dhe një pjesë e mirë e kontingjentit do të vijë deri në fund të këtij muaji, dhe mos të përmendet këtu edhe rreth 40 mijë doza që pritet të vijnë nga COVAX-i. Nëse e bëjmë një llogaritje i bie që ne të kemi mundësinë që çdo muaj të vaksinojmë 320 mijë qytetarë, por marrë parasysh se këto kontingjente kur të na vijnë do të jenë ndoshta një kontingjent me 200 mijë e kontingjenti me 5000 mijë, ne kemi marrë masa që pavarësisht 320 mijëshit që është synimi ynë që ta bëjmë gjatë këtij 6 mujori deri më 15 dhjetor ne kemi marrë të gjitha masat që mundësia e vaksinimit të jetë deri në 500 mijë doza. Mund të ndodh që një muaj të kemi 200 mijë të vaksinuar dhe mund të ndodh që edhe për një muaj t’i kemi 500 mijë të vaksinuar”, tha Vitia.

Ministri, Vitia edhe njëherë e ka theksuar se prioritet mbetet vaksinimi i 60 për qind të qytetarëve deri në fund të viti.

Derisa ka folur për kategoritë që do vaksinohen, ministri i Shëndetësisë tha se përveç personave mbi 65 vjeç dhe atyre me sëmundje kronike, me këtë proces të zgjeruar do të nis vaksinimi edhe i mësimdhënësve dhe pjesëtarëve të sigurisë.

“Objektivi ynë mbetet vaksinimi i 60% të qytetarëve tanë, me pjesëmarrjen, bashkëpunimin dhe punën e të gjithëve do e arrijmë këtë objektiv. Aktualisht janë duke u vaksinuar kategoria e personave mbi 65-vjeç, dhe personat me sëmundje kronike pa dallim moshe. Me zgjerimin e procesit do të vaksinohen edhe mësimdhënësit, forcat e sigurisë të ndërlidhura drejtpërdrejt me menaxhimin e COVID-19, për të vazhduar pastaj në fazën e tretë me grup-moshat nën 65 vjeç, me punëtorët e sektorit publik dhe me kategoritë e tjera të popullatës”, u shpreh Vitia.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë thirrje që qytetarët të vazhdojnë të respektojnë masat në fuqi, pasi siç tha ai pandemia ende nuk ka përfunduar.

Fillimin e procesit të vaksinimit masiv e ka konsideruar si një moment që shënon një kapërcim në luftën kundër COVID-19.

Ai kërkoi nga qytetarët që të aplikojnë në platformën online për t’u regjistruar për vaksinim.

“Ky moment shënon një kapërcim në luftën tonë kundër COVID-19 sepse vaksinimi në masë është proces jetik për sigurimin e imunitetit kolektiv të popullatës sonë dhe krijimin e kushteve në një realitet të ri. […] Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me komunat ka krijuar hapësira të reja për vaksinim siç po e shihni edhe sot, ka shtuar kapacitetet njerëzore duke organizuar 279 ekipe të vaksinimit në nivel vendi nga 89 sa ishin deri më tani dhe gjithashtu ka ngritur kapacitetet e nevojshme dhe ka siguruar vaksina të nevojshme çka është e më e rëndësishmja”, tha ai.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia lidhur me mungesën e insulinave deklaroi se deri në fund të këtij muaj do konkretizohet një kontratë që do të sigurojë doza të mjaftueshme të insulinave për pacientët me diabet.

Procesi i vaksinimit në Kosovë ka nisur në fund të muajit mars, prej atëherë e deri më tani janë vaksinuar mbi 100 mijë qytetarë. Deri tani qytetarët janë imunizuar me doza të dhuruara nga aleanca COVAX dhe Bashkimi Evropian. Ndërsa, Qeveria e Kosovës në fund të muajit maj ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë Pfizer për blerjen e 1.2 milionë vaksinave anti-COVID. / TV Malisheva

Share.