Në aeroportin e dytë ndërkombëtar shqiptar, “ZAYED-Flatrat e Veriut” në Kukës, u ul sot nga Zyrihu avioni me udhëtarë i Helvetic Airlines, duke shënuar kështu nisjen zyrtarisht të fluturimeve nga ky aeroport.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, në aeroportin e Kukësit, ishte i pranishëm ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi si dhe të ftuar të tjerë të linjës.

Ministri Klosi e cilësoi nisjen e aktivitetit në aeroportin e dytë ndërkombëtar shqiptar “ZAYED-Flatrat e Veriut”, një hapje të “portës” së dytë qiellore për fluturimet komerciale.

“Kjo shënon hapjen e “portës” së dytë qiellore për fluturimet komerciale“, tha Klosi.

Avioni i nisur nga Zyrihu u ul në aeroportin e Kukësit rreth orës 12:45 të së premtes.

Fluturimi i kthimit nga kompania ajrore zvicerane Helvetic Airlines pritet të kryhet po sot, pas një ore e gjysmë të kohës së përgatitjes për kthim për në Zürich.

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit ‘Zayed-Flatrat e Veriut’ ka një pistë prej 2.2 kilometrash dhe kullën e tij të vëzhgimit, ndërsa në pjesën e pistës është projektuar të mbajë 3 aeroplanë njëkohësisht, ndërsa brenda një ore, 4 avionë mund të nisen nga ky aeroport.

Terminali zë një vend prej 3500 m2, ka 2 porta hyrëse dhe brenda tij një zonë muzeale përkujton luftën e Kosovës, e cila ishte gjithashtu pika fillestare e këtij aeroporti, si një dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe në ndihmë për refugjatët e luftës./Atsh/TV Malisheva

Share.