Nisma Socialdemokrate në Malishevë ka dalë me një reagim publik ku e akuzon një komisioner të PDK-së në qendrën e votimit në Banjë për presion ndaj votuesve.

“Komisioneri i PDK-së në qendrën e votimit në Banjë, Faton Telaku, i caktuar si zyrtar i dhënies së fletëvotimeve, që nga mëngjesi është duke iu bërë presion votuesve për të votuar kandidatin Isni Kilaj. Secilit qytetar që po u shpërndan fletën e votimit po iu kërkon të votohet kandidati i PDK- së”, thuhet në reagim.

Gjithashtu, zyrtari në fjalë, sipas Nismës “sot gjatë ditës ka bërë postim në rrjetin social Facebook, duke bërë propagandë me simbole të partisë në fjalë, që nënkupton thyerje të heshtjes zgjedhore”.

Nisma ka bërë thirrje tek organet përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe “të merren urgjentisht me këtë rast”.

Share.