Pas tre muaj e gjysmë ndërprerje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, kryenegociatorët e të dyja palëve do të takohen nesër në Bruksel. Bisedimet do të zhvillohen nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq. Ata u takuan herën e fundit më 16 nëntor.
Petkoviq një ditë para takimit me Bislimin ka hedhur akuza drejt Kosovës, duke thënë se “po mundohet ta çojë dialogun në absurd”.
“Kur nuk keni biseda të drejtpërdrejta keni incidente në terren. Ne do të insistojmë në formimin e Asociacionit i cili duhet të sigurojë të drejta kolektive për serbët që jetojnë në Kosovë”, tha Petkoviq për RTS.
Ai e theksoi faktin se pala serbe po shkon në Bruksel edhe pse është në fushatë zgjedhore, duke hedhur kunja, si zakonisht, drejt kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
“Edhe gjatë fushatës elektorale ne po shkojmë në Bruksel ndryshe nga Albin Kurti. Nuk e kemi atë problem sepse po e themi të vërtetën. Hapësirat për manovrim na janë ngushtuar, por duhet të luftojmë për një jetë më të mirë për qytetarët tanë”, tha Petkoviq.
Petkoviqin e ka çoroditur edhe takimi i Kurtit në Bruksel me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe emisarin Miroslav Lajçak, ku kryeministri theksoi se të dyja palët duhet të fokusohen në njohjen reciproke.
“Kurtit nuk i beson më askush, edhe pse është fëmijë i mentorëve perëndimorë. Ai nuk pranoi t’i nënshkruajë tri dokumente për gjërat elementare. Është e rëndësishme të bisedohet, të zgjidhet çështja e të pagjeturve, por nuk është çështje politike siç dëshiron ta prezantojë Kurti, por në radhë të parë humanitare”, tha ai.
/TV Malisheva