Bylisi-Tirana është në dyshim për t’u zhvilluar. Pasi është raportuar për një futbollist të prekur në qytetin e Shkodrës, lojtarët e ekipit ballshiot janë grumbulluar dhe po qëndrojnë të izoluar, pasi ekziston frika që edhe ndonjë lojtar tjetër të jetë prekur.

Edhe në FSHF normalisht janë të shqetësuar dhe do të duhet që lojtarët të testohet të gjithë, pasi virusi mund të përhapet edhe në ekipe të tjera. Sipas protokollit, kampionati vijon dhe personi i prekur izolohet, por duhet hetuar se cilat kanë qenë kontaktet e të infektuarit.

Futbollisti i prekur, E.Q sipas Top Channel, ishte në fushë në miqësoren kundër Apolonisë dhe fierakët gjithashtu do të duhet të bëjnë testet, për të parë se mos ndonjë prej tyre është infektuar.

Duke parë situatën e krijuar, Bylisi-Tirana, e programuar për t’u luajtur nesër në orën 17:00, është në rrezik. Përgjigjet e testeve mund të dalin brenda ditës së sotme, por sikurse dihet, ka edhe pasaktësi dhe mund të duhet që lojtarët të presin një javë dhe të testohen sërish.

Në FSHF do të mendohen mirë, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të japë udhëzimet e saj në lidhje me situatën e krijuar. Para pak ditësh u dha “OK”-i që ndeshjet e futbollit të luhen pa tifozë dhe nesër janë në plan 5 përballje. /abcnews.al

Share.