OPINION
Muhamet Bytyçi

Derisa për pushtetin në Kosovë radhën e kishte VV-ja, LDK ja dhe PDK-ja e kanë radhën për t’u kthyer nga vetja, për të bërë reforma të thella nëse mendojnë të vazhdojnë jetën politike.

Në këtë shkrim do të përpiqem të shtjelloj disa argumente për Partinë Demokratike të Kosovës dhe nevojën urgjente të reformimit të saj. Kush mund të jetë prijës i reformave dhe cila është rruga.

PDK-së si parti e themeluar nga figurat e respektuara të UÇK-së sot ia ka ardhur koha për një reformë të thellë nëse mendon të vazhdoj të jetë parti konkurrente në politikën kosovare.

Zgjedhjet e 14 shkurtit ishin konfirmimi i asaj çka ndër vite shumë anëtarë e simpatizantë të PDK-së e kishin thënë. Partisë i duhen ndryshime thelbësore për t’u përgjigjur në sfidat e kohës.

PDK-ja i humbi zgjedhjet dhe mori një rezultat shumë të keq. Vetëm 19 deputetë nga 120 sa i ka Kuvendi i Republikës. I pagoji krejt dështimet ndër vite kësaj radhe.

Pushteti i gjatë dhe shkëputja nga realiteti e edhe nga baza e votuesve beri që kjo parti ta pësojë keq në këto zgjedhje.

Ka shumë argumente që renditen se mbase rënia është për shkak të mungesës së figurave historike të PDK-së, pandemisë, paqartësisë me qeverinë e fundit apo edhe argumente tjera, por këto mendoj që janë dytësorë përballë faktit që PDK –ja u ndëshkua për dështimet në qeverisje, për mospunën e strukturave të saj dhe hendekun me popullin.

Në dinamikën politike të dekadës së fundit nuk konkurron më me praktika të punës vetëm në fushatë apo edhe me grupe mercenarësh që i paguan për shërbim.

Jo!

Partive ju duhet organizim, aktivistë të bindur për kauzën e partisë, qëndrueshmëri politike e konsistencë, qartësim programatik e ideologjik.

Prandaj sot më shumë se asnjëherë PDK-së i duhet një lidership i ri. PDK-së i duhet një kryetar i ri.

PDK-ja duhet të ketë një pikë të vendimmarrjes, nuk bëhet partia me telefonata e vendimmarrje jashtë Kosovës. Jo, vendimmarrja duhet të jetë nga zyra e PDK-së, nga një udhëheqje e dalë nga një proces zgjedhor që e nxjerr PDK-në me një strategji për të ecur përpara.

Por duhet kërkuar edhe përgjegjësi për katandisjen e PDK-së nga një parti e madhe në një parti që më shumë ngjan ne LDD-në e Nexhat Dacit se në PDK-në e Hashim Thaçit.

Për mua si një vrojtues i jashtëm përgjegjësi është që të gjithë ata që e kanë udhëhequr PDK-në kohët e fundit, të gjithë ata ish-ministra që kanë pasur rezultate të këqija, të gjithë ata kryetarë që kanë pasur rezultate të këqija nëpër komuna dhe të gjithë ata vendimmarrës të tjerë, t’ia bëjnë një vlerësim së pari vetes dhe punës së tyre pastaj partia të t’u kërkoj llogari dhe të hapin rrugë për reforma.

Nëse nuk ka reformë PDK-ja, me këtë imazh që ka, me këtë besim që ka në popull rrezikon të bie edhe më poshtë.

Anëtarët vendimarrës të PDK-së duhet të lexojnë nevojën e energjisë së re dhe ndryshimin që kërkohet në popull.

Nuk ka parti pa votues. Nëse ata s’e lexojnë qartë se çfarë mesazhi kanë dhënë votuesit me 14 shkurt në ndonjë 14 të vjeshtës mund të jetë edhe më keq.

Pra sot duhet menduar nëse e donë një parti pa votues ku janë ata udhëheqësit në krye apo një PDK të reformuar me mbështetje ku prapë janë ata por jo në krye të saj.

Kjo është dilema. Partia para karrierës apo karriera para partisë.

Nesër është mbledhja që e nisë rrugëtimin e PDK-së drejt reformës e për ngritje apo drejt humnerës. Anëtarët e PDK-së e vendosin këtë.

Në realitetin e ri të skenës politike kosovare PDK-ja herët ose vonë do të duhet të bëjë reformën, më mirë me kohë se pas kohe.

Reforma do duhet të filloj nga rruga e hapur për zonjën Vlora Çitaku si kryetare e jo të vazhdoj me U.d. të kryetarit e të mos ketë asnjë lloj qartësie.

Vlora si një personalitet që është dëshmuar për lidership e guxim është rasti më i mirë për të filluar një reformë që duhet të vazhdoj në të gjitha nivelet.

Vlora është përgjigjja më e mirë për situatën, me Vlorën PDK ja jep mesazh që është parti e reformave, parti që ju beson edhe grave, parti që ka guxim ta reformojë vetveten.

Vlora është aktiviste e dëshmuar e PDK-së që do të zgjeronte PDK në edhe përtej Drenicës ku është sot edhe në qytetet më të mëdha të vendit.

Nëse Enver Hoxhaj apo kushdo nga ata që janë pështjellur viteve të fundit në udhëheqjen e PDK-së synon kreun e PDK-së me keqardhje duhet të them se është gabim i madh politik që do të vërtetohet më së largu në vjeshtën e këtij viti.

Në politikë na rezulton se më me rëndësi është si të shohin se sa si je në të vërtetë.

Vlora është momentalisht figura e vetme që do t’i dominonte zërat brenda PDK-së, që shkurja e Hashim Thaçit e Kadri Veselit në Hagë u ka ushqyer shume ambicien, por edhe jashtë PDK-së si një personalitet kredibil e me përvojë të gjatë politike.

Vlora është personalitet i vlefshëm edhe për faktin që do ta hapte PDK-në përtej një strukture që pavetëdijshëm krijohet dhe jo rrallë bëhet pengesë për ide e figura të reja.

Është radha e PDK-së për të vendos në rrugën e reformave që do të nënkuptonte rritje dhe organizim dinamik me një kryetare si Vlora apo rrugën e ngecjes dhe vendnumërimit.

Autori është Master ne Politika Publike dhe Menaxhim.

Share.