Guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov, ka thënë se dy helikopterë ushtarakë ukrainas kanë goditur një depo nafte më 1 prill, në qytetin rus, Belgorod, i cili gjendet rreth 25 kilometra në kufi me Ukrainën.

Nëse konfirmohet, ky do te ishte sulmi i parë i nisur nga Ukraina në tokën ruse, prej kur Moska ka nisur pushtimin e këtij shteti fqinj më 24 shkurt.

Gladkov ka thënë në platformën Telegram se helikopterët kanë goditur objektin, pas kalimit të kufirit.

Sipas tij, dy punëtorë janë plagosur në sulmin e supozuar.

Megjithatë, kompania ruse e naftës, Rosneft, e cila ka në pronësi depon e naftës, ka thënë në një deklaratë ndaras se askush nuk është plagosur si pasojë e zjarrit.

Në deklaratë nuk janë dhënë informacione kush ka nisur zjarrin.

Në disa pamje, që thuhet se shpërfaqin sulmin, shihen ato që duken si raketa të cilat lëshohen, para shpërthimit.

Ministria ukrainase e Mbrojtjes nuk ka komentuar ende për këtë gjë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

/TV Malisheva

Share.