Një muaj paraburgim i është caktuar një personi me inicialet I.J., për shkak të dyshimit se ka kryer tri vepra penale.
I.J., dyshohet se ka kryer veprat “Kanosje”, “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Marrje e pasurisë së luajtshme”.
“Sipas kërkesës, “me datën 19 korrik 2023, rreth orës 12:30, tek Spitali “Isa Grezda” në Gjakovë, i pandehuri seriozisht i kanos të dëmtuarit A. L. dhe G. H., në atë mënyrë që ditën kritike të dëmtuarit nuk lejohen nga i pandehuri që të xhirojnë në hapësirën brenda spitalit, dhe posa i dëmtuari A. L. del jashtë dyerve të spitalit i pandehuri e kanos me fjalët “të baj për emergjencë, nale kamerën se ta thej për kry, mos ma prek gishtin se ta marr shpirtin”, dhe e sulmon fizikisht duke e shtyrë ne regjionin e kraharorit dhe duke e goditur tek kamera, pastaj hyn brenda në kabinë e merr një shkop druri dhe më të e godet të dëmtuarin në regjionin e fytit, me ç ‘rast të dëmtuarit i shkakton lëndime të lehta trupore. Kur e vëren se po incizohet nga e dëmtuara G. H., të njëjtës i drejtohet me fjalët kërcënuese “nëse dalin videot dikun ti ki mu përgjigj privatisht edhe menjëherë dilem jashtë se të ngrehi zhag prejt ktuhi”, afrohet tek e dëmtuara dhe me forcë ia merr telefonin nga dora me qellim që ti fshijë video incizimet. Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer tri vepra penale, ”Kanosja”, “Lëndimi i lehtë trupor” dhe veprën penale “Marrja në posedim e pasurisë së luajtshme”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Gjyqtari i procedurës paraprake Samedin Cena ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, duke marrë parasysh se hetimet formale janë në fazën fillestare të tyre dhe me gjetjen e të pandehurit në liri, rrezikohet ndikimi në dëshmitarë dhe dëmtimi i prova të tjera që do të sigurohen nga organi i akuzës.
I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 19 korrik 2023 dhe do të zgjasë deri më 18 gusht 2023.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
/TV Malisheva