Gjykata Themelore në Gjakovë i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh pronarit të lokalit të ushqimeve të shpejta në Malishevë, ku dyshohet se u helmuan mbi 200 persona.

Lajmin e ka konfirmuar, zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Lekë Muqaj.

“Është caktuar masa e paraburgimit prej 3o ditësh. Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor”, ndërsa masa e paraburgimit të njëjtit do t’i llogaritet nga 13 tetori deri më 12 nëntor 2023”, tha ai.

Ndryshe, ka arritur në 205 numri i personave që dyshohet se u helmuan nga ushqimet që konsumuan në një lokal të ushqimeve të shpejta në Malishevë.

Lajmin e ka bërë të ditur, Afrim Krasniqi, drejtor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë.

“Numri i qytetarëve po vazhdon të rritet, deri tani 205 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Të gjithë janë paraqitur me simptoma të njëjta, vjellje, temperaturë, ethe. Disa janë duke u trajtuar në Spitalin e Prizrenit, disa në QKUK në Prishtinë”, tha ai.

Rastet e para të helmimit të qytetarëve janë paraqitur ditën e premte.

Lidhur me rastin Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka nisur inspektimet në lokalin ku dyshohet se janë ushqyer qytetarët.

AUV ka marrë vendim që të mbyllet përkohësisht lokali dhe ka asgjësuar mbi 60 kg mish.

/TV Malisheva

Share.