Ka filluar të funksionojë vendkalimi i përbashkët kufitar me vetëm një pikë kontrolli, në mes të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në Qafë Thanë. Programi i ri kufitar “Një ndalesë-një kontroll” do të lehtësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, me procedura shumë të thjeshtuara, kanë deklaruar përfaqësues nga dy shtetet.
Ceremonia është zhvilluar nga pika “Qafë Thanë”, nga ku kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se synojnë lehtësira më të mëdha për qytetarët që kalojnë nga njëri shtet në tjetrin.
“Vetëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti dhe vetëm në këtë pikë kufitare kanë lëvizur mbi 770 mijë shtetas dhe mbi 352 mijë automjete, është një fluks shumë i konsiderueshëm edhe pse kjo nuk është pika më intensive e kalimit, dhe një procedurë e thjeshtësuar me vetëm një ndalesë ku në të njëjtin vend janë dy përfaqësuesit e agjencive tona ligj zbatuese është ajo që nevojitet. Por nga ana tjetër unë dua shumë të shpresoj që të dyja ministritë e brendshme do të kalojnë në një tjetër nivel në këtë periudhë piku të sezonit por pastaj edhe në të gjitha sezonet e tjera verore për të bërë kalimin pa kontroll, të makinave të targuara Republika e Shqipërisë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që edhe më shumë të lehtësohet qarkullimi por mbi të gjitha në radhë të parë ata që vinë në Shqipëri apo shkojnë në anën tjetër për turizëm të mos e kenë rrugës këtë lloj ndalese që prodhon stres, humbje kohe dhe mërzi”, ka thënë Rama.
Rama ka thënë se ky është moment i rëndësishëm meqë po lehtësohet në mënyrë të konsiderueshme kalimi në këtë pikë.
“Qëllimi final është unifikimi i doganave, që natyrisht do të vijë më integrimin e plotë të Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, por nuk kemi pse presim BE-në për ta avancuar, ka pasur skeptik dhe përqeshës kur ne filluam këtë proces me të ashtuquajturin ‘minishengen’ pastaj me Ballkanin e Hapur dhe në ndërkohë rezultatet flasin çdo ditë e më mirë për arsyen e thjeshtë të një procesi si ky, ta bëjmë hapësirën mes nesh një hapësirë ku ndërveprohet dhe bashkëjetohet si në BE, pa pritur që të integrohemi tërësisht në BE”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, Rama ka përmendur edhe projektin që lidhë Bunën me Balldrenin.
“Presim që deri në fund të vitit të kemi edhe projektin që lidhë Bunën përmes urës së re me Balldrenin dhe kështu do të kemi një korridor të standardeve të Bashkimit Evropian, që do të lidhë veriun e Shqipërisë me jugun e Shqipërisë dhe do të mbarojë edhe tortura e jashtëzakonshëm e të gjithë atyre qe vinë nga lartë, qoftë nga Kosova dhe jugu i Shqipërisë dhe që duhet të mbërrijnë në Tiranë përmes një shtegu që është bërë praktikisht një shteg torturues për shkak kedhë fluksit të madh të automjeteve”, ka thënë ai.
Ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se në Ballkan nuk duhen kufijtë.
“Në Ballkan nuk na duhen kufijtë, kufi nuk ka në Evropë, nuk ka nevojë të ketë edhe në Ballkan, prandaj edhe raportet pulitke janë në nivelin më të lartë. Nëse i shikoni sot marrëdhëniet politike të Shqipërisë dhe Maqedonisë, është në nivelin më të lartë”, ka thënë ai.
E zëvendëskryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi, ka thënë se nuk duhet ndaluar këtu por që të gjithë kufijtë duhet të kenë “one stop shop” si parahap deri të largimi i tërësishëm i kufijve.
“Nuk ka gjëmë të bukur se bashkimi, dhe sot këtë po e realizojmë bashkërisht dhe vërtet më bën shumë të lumtur, ka disa ditë që ky kalim kufitar po funksionon tashmë dhe qytetarë të dy vendeve tona po më shkruajnë po më thërrasin në telefon nga kënaqësia kur e përjetojnë që nuk ka kufi midis nesh ,që tani ka vetëm një kontroll dhe uroj që së shpejti edhe ato kontrolle të vetme të cilat i kemi midis nesh të largohen…Nuk duhet të ndalemi këtu, të gjithë kufijtë tanë duhet të kenë ‘One-stop-shop’, si parahap deri te largimi i kufijve përgjithmonë midis nesh”, ka thënë Grubi.
Në anën tjetër, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka thënë se ky projekt do të ketë ndikim të rëndësishëm në lehtësimin e lëvizjes si dhe do të stimulojë zhvillimin ekomomik dhe rajonal.
“Ajo çka gjithmonë i ka munduar shqiptarët ndër vite, ka qenë izolimi, një izolim i cili sot e kësaj dite i ka akoma efektet e tij negative, qofshin këto sociale apo pasoja ekonomike. Ndaj, një nga prioritetet kryesore të qeverisë Rama duke nisur nga viti 2013 padyshim ka qenë lehtësimi i të gjitha procedurave kufitare për të lehtësuar kështu kalimin e qytetarëve dhe sidomos të tregtisë dhe të mallrave. Ky projekt është dëshmia e radhës e vullnetit dhe dëshirës së mirë që ekziston midis dy qeverive, dhe vullnetit dhe dëshirës së mirë që kemi për të punuar me njëri tjetrin”, ka thënë ajo.
Në këtë ceremoni është përmendur edhe Korridori 8 për çka është theksuar se po punohet konkretisht në teren për ndërtimin e tij.
/TV Malisheva