Ai tha se objekti i ri ka “shkelur hapësirën ajrore kanadeze” dhe u rrëzua në Jukon, në veriperëndim të Kanadasë.
Dy avionë kanadezë dhe amerikanë u përpoqën që ta gjurmonin objektin dhe sipas Trudeau, ai u rrëzua nga një avion luftarak amerikan i llojit F-22.
Ky është objekti i tretë që rrëzohet në Amerikën e Veriut në javën e fundit.
Ushtria amerikane fundjavën e kaluar shkatërroi një balonë kineze dhe të premten rrëzoi një objekt të paspecifikuar – në madhësinë e një makine të vogël – mbi Alaskë.
LEXO EDHE:
SHBA: Një objekt në lartësi të madhe u rrëzua mbi Alaskë
Treudeau konfirmoi se ai dha urdhër për rrëzimin e objektit dhe për këtë çështje ka biseduar me presidentin amerikan, Joe Biden.
“Forcat kanadeze tani do të marrin mbetjet e objektit dhe do t’i analizojnë ato”, shkroi ai në Twitter.
Objekti i paidentifikuar fluturoi mbi Jukon në një lartësi prej 12.000 metrash dhe u identifikua të shtunën në orën 15:41, sipas kohës lokale, tha ministrja kanadeze e Mbrojtjes, Anita Anand.
Ajo tha se objekti ishte i “vogël” dhe në formë “cilindrike”, por shtoi se ekipet ende nuk kanë marrë mbetjet e objektit që të kuptojnë më shumë detaje.
Ankand tha se objekti u rrëzua rreth 160 kilometra nga kufiri me SHBA-në, duke shtuar se ai paraqiste “një kërcënim për aviacionin civil”.
Ministrja kanadeze tha se objekti i ri i rrëzuar duket se ishte më i vogël sesa ai i rrëzuar në Karolinën e Jugut të shtunën e kaluar – referencë për balonën gjigante kineze,
që dyshohet se po përdorej për spiunazh dhe që është vlerësuar se ishte 60 metra e gjatë.
LEXO EDHE:
Çfarë dihet dhe çfarë jo për balonën kineze?
Shtëpia e Bardhë tha se objekti është gjurmuar dhe monitoruar “në 24 orët e fundit”.
“Për shkak të kujdesit dhe me rekomandimin e ushtarakëve të tyre, presidenti Biden dhe kryeministri Trudeau autorizuan që ai të rrëzohej”, u tha në deklaratë.
“Liderët diskutuan për rëndësinë e marrjes së mbetjeve të objektit në mënyrë që të kuptohen më shumë detaje lidhur me qëllimin dhe origjinën e tij”, raporton REL.
Duke dhënë më shumë detaje për këtë mision, Departamenti amerikan i Mbrojtjes konfirmoi se dy avionë F-22 u nisën nga një bazë ushtarake në Alaskë dhe se objekti u rrëzua nga një raketë e llojit AIM 9X.
Po ashtu të shtunën, në një ngjarje të ndarë, ushtria amerikane ngriti avionët luftarakë mbi Montana dhe një pjesë e hapësirës ajrore u mbyll.
Por, më pas doli të jetë se kishte pasur një problem në radar dhe nuk kishte asnjë të pazakontë në hapësirën ajrore.
/TV Malisheva