Shkruan: Afrim Kasolli

Pas sulmit të një grupi terrorist nga Serbia në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, u krijua bindja se Kosova mund ta shfrytëzonte këtë rast për ta përmirësuar pozicionin e saj ndërkombëtar në procesin e dialogut. Po ashtu, u shpresua se shteti i Kosovës do të “shpëtonte” për një kohë nga presionet ndërkombëtare nga ky proces i cili qartazi shihej se e kishte vendosur Kosovën në një pozicion defansiv, për shkak të mos implementimit të Marrëveshjes për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe dhe së fundi kërkesën për mbajtje urgjente të zgjedhjeve komunale në katër komunat në pjesën veriore të vendit.

Në këtë drejtim si Kryeministri Kurti, ashtu edhe Presidentja Vjosa Osmani, mbronin pikëpamjen se nuk mund të ketë dialog pas asaj ngjarje, sipas mënyrës sesi ishte zhvilluar ai para asaj date. Se fillimisht duhej realizuar një hetim ndërkombëtar për Serbinë, për çka edhe Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar një rezolutë, si dhe duhej ndëshkuar dhe sanksionuar shteti fqinj. Sepse nëse nuk ndodhin këta hapa paraprak Beogradi do të trimërohet edhe më shumë për ta përsëritur skenën e krimit. Prandaj, pa plotësimin e këtyre kushteve nuk mund të ketë rikthim në tavolinën e bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel nën menaxhimin e Bashkimit Evropian me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Mirëpo, vizita e djeshme e pesëshes diplomatike në Prishtinë dhe kërkesat e tyre, treguan se asnjëri nga këto kushte nuk është marrë  parasysh nga diplomacia ndërkombëtare. Përkundrazi, ata treguan se tash e tutje do jenë edhe më ngulmues në raport me Qeverinë e Kosovës. Pra në këtë aspekt thuajse sikur nuk ka ndodhur 24 shtatori. Ose ka ndodhur, por që duhet të përdoret edhe më shumë për ta shtuar trysninë mbi Kosovën.

Mesazhet dhe qëndrimi i emisarëve ndërkombëtar të shprehura nëpërmjet Përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, në konferencën për shtyp qenë më të qarta se kurrë më parë. Ai pas takimit me Kurtin deklaroi “se çfarëdo kushti, apo çfarëdo vonese për normalizimin e marrëdhënieve është e papranueshme”. Ndër të tjera po ashtu M.Lajçak, pohoi se “ky sulm vetëm se e ka bërë më të rëndësishëm dialogun dhe se ai është rruga e vetme e dy vendeve për aspiratat evropiane”.

Por asnjëri nga të pranishmit e emisarëve nuk dëshmoi se pse ndodhi ku sulm pikërisht deri sa ishte duke u zhvilluar dialogu? Ngase ai nuk erdhi si rezultat i mungesës së tij. E në fund Përfaqësuesi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk la pa e nënvizuar faktin se Kurti ka “përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të ketë përparim drejt Bashkimit Evropian, me që rast nevoja për  themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të bëhet pa asnjë vonesë tjetër”. Ngase pa krijimin e këtij entiteti nuk do të ketë përparim në agjendën integruese evropiane.

Këto mesazhe dëshmuan, më mirë se asgjë tjetër, se kërkesa e Prishtinës që fillimisht të garantohet siguria e Kosovës nga agresionet edhe sulme e mundshme të Serbisë dhe më pastaj të kalohet në një format tjetër të dialogut janë shpërfillur totalisht. Për lehtësuesit e dialogut, kjo siguri mund të arrihet vetëm nëse themelohet Asociacioni dhe plotësohen kushtet tjera. Që ky dështim të mos dukej brutal si Qeveria e Kosovës ashtu edhe pesëshja diplomatike u përkujdesen që të ta përdorin një eufuizëm se gjoja bëhet fjalë për një plan të ri, por që për arsyeje konfidenciale nuk mund të bëhet publik. Mirëpo duke marrë parasysh kërkesat e sipërcekura shihet qartë se ky “plan i ri” nuk është asgjë tjetër, pos shprehur në mënyrë metaforike një “pesëshe ne kajmak” për të njëjtin “ushqim”.

Në këtë kontekst, me të drejtë mund të shtrohet dilema; a ishte naiviteti diplomatik i pushtetit në Kosovë, i cili ka ndikuar që shteti ynë të mos e përmirësojë pozicionin e tij diplomatik as pas 24 shtatorit? Apo çdo që ishte e orkestruar vetëm për ta shfrytëzuar si pretekst për ta “zhbllokuar”dialogun në funksion të themelimit të Asociacionit, apo vetmenaxhimin e komunitetit serb, siç po quhet me marrëveshjen bazë të Brukselit dhe atë të zbatimit në Ohër të dakorduar nga Kryeministri Kurti dhe Presidenti Aleksandar Vuçiq në fillim të këtij viti?

/TV Malisheva

Share.