Përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve mund të rezultojë në një shans të shtuar të zhvillimit të sëmundjeve inflamatore të zorrëve, të tilla si sëmundja e Crohn ose koliti ulceroz, me pothuajse 50 për qind te njerëzit mbi 40 vjeç, sipas një studimi të ri danez.
Studiuesit ndoqën gjendjen shëndetësore të më shumë se gjashtë milionë banorëve të Danimarkës gjatë një periudhe dhjetëvjeçare dhe zbuluan se përdorimi i antibiotikëve shoqërohej me një rrezik në rritje të zhvillimit të sëmundjes inflamatore të zorrëve.
Studimi sugjeron që efekti është kumulativ.
Shkencëtarët kanë vënë re gjithashtu se efekti i marrjes së antibiotikëve është i dukshëm në të gjitha grup-moshat dhe njerëzit mbi 40 janë veçanërisht të prirë ndaj tij. Nëse i përkisni grup-moshës midis 40 dhe 60-vjeç dhe keni marrë shpesh antibiotikë në pesë vitet e fundit, jeni të ekspozuar ndaj një rreziku 48 për qind më të lartë për të zhvilluar sëmundje inflamatore të zorrëve, sipas studiuesve danezë.
Nëntëdhjetë për qind e pjesëmarrësve në studim morën antibiotikë si pjesë e hulumtimit. Studiuesit regjistruan më pas 36,000 raste të kolitit ulceroz dhe gati 17,000 raste të reja të sëmundjes së Crohn.
“Studimi zbuloi se marrja e antibiotikëve shoqërohej me një rrezik më të lartë të zhvillimit të sëmundjes inflamatore të zorrëve te të rriturit në moshë krahasuar me të rinjtë. Në të njëjtën kohë, ne kemi vërejtur një rrezik në rritje të zhvillimit të sëmundjeve inflamatore të zorrëve katër deri në pesë vjet pas ekspozimit ndaj antibiotikëve dhe pas përdorimit të një grupi antibiotikësh që përdoren shpesh për të trajtuar patogjenët gastrointestinal”, thanë shkencëtarët në revistën profesionale Gut.
Ata shpjeguan se marrja e antibiotikëve mund të shkaktojë ndryshime të përhershme në mjedisin mikrobik, i cili në fund të fundit kontribuon në zhvillimin e sëmundjeve inflamatore të zorrëve.
Një studim i fundit tregoi se ngjyrosja popullore ushqimore, Allura Red AC, e cila përdoret për të përmirësuar ngjyrën dhe strukturën e pijeve joalkoolike dhe ëmbëlsirave, mund të prishë funksionimin e barrierës së zorrëve dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të sëmundjes inflamatore të zorrëve.
Ngjyrat ushqimore rrisin sasinë e serotoninës dhe mund të ndikojnë në ndryshimin e përbërjes së mikrobiotës së zorrëve, gjë që i bën njerëzit më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve inflamatore të zorrëve.
Profesor Waliul Khan nga Universiteti McMaster në Mbretërinë e Bashkuar thotë se zbulimi i shkencëtarëve danezë është “një hap i rëndësishëm përpara që duhet të sensibilizojë publikun ndaj dëmit të mundshëm të shkaktuar nga ngjyrat ushqimore”.
Khan tha se pothuajse gjysmë milioni njerëz në Mbretërinë e Bashkuar vuajnë nga sëmundja e Crohn ose koliti, dhe rreth 10 milionë në botë./TV Malisheva