Mbretëresha, Princi Charles dhe Duka dhe Dukesha e Kembrixhit kanë ndarë të gjithë urime për Meghan Markle në ditëlindjen e saj të 40-të.
Llogaria e Familjes Mbretërore në Instagram, e drejtuar nga stafi i Pallatit Buckingham të Mbretëreshës, ishte e para që publikoi në Instagram dhe Twitter një postim, duke ndarë tri fotografi të Meghanit së bashku me mesazhin: “Duke i uruar Dukeshës së Sussex-it një ditëlindje shumë të lumtur sot!”.
Njëra nga fotografitë e tregon Mbretëreshën, 95 vjeçe dhe Meghanin duke buzëqeshur në ndejën e tyre të parë dhe të vetme të përbashkët në qershor të vitit 2018, shkruan DailyMail.
Brenda pak minutash, Princi William dhe Kate Middleton dhe Princi Charles dhe Dukesha e Cornwall shtuan mesazhet e tyre të ditëlindjes.
Fansat mbretërorë vlerësuan vendimin “dashamirës” dhe “dinjitoz” për urimet e publikuara në rrjetet sociale, pavarësisht kritikave të fundit të Harryt dhe Meghan ndaj familjes mbretërore.
Duka dhe Dukesha e Kembrixhit zgjodhën një fotografi të Meghanit nga turneu mbretëror i saj dhe Harryt në Australi në tetor të vitit 2018.
Fotografia e tregon Dukeshën të veshur me një fustan me shirita të rrjedhshëm dhe një gjerdan në plazhin Bondi të Sydneyt. Ajo ishte shtatzënë me Archie në atë kohë.
Llogaria e Clarence House në Instagram, e drejtuar nga stafi i Princit Charles dhe Camilla-s, publikoi një fotografi të Meghanit duke buzëqeshur ndërsa ajo ndoqi një tryezë të rrumbullakët mbi barazinë gjinore në Kështjellën Windsor në tetor të vitit 2019.
Princi William dhe Princi Harry, të cilët dikur ishin të pandashëm, janë ndarë në 18 muaj që nga vendimi i Harryt dhe Meghanit për të lënë familjen mbretërore dhe për t’u transferuar në ShBA./TV Malisheva