Një komunikim i brendshëm në mes të zyrtarëve të Thesarit të Shtetit dhe Ministrisë së Financave, tregon se për pagat e profesorëve universitarë janë importuar pagesat për vetëm një pjesë të stafit.
122 pjesëtarë të stafit të UP-së nuk i kanë marrë pagat mujore me rregull këtë muaj, raporton Paparaci. Pagesat për 122 punonjës janë refuzuar në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës.
“Janë importuar pjesërisht pagesat për shumën 359,109.19 nr zotimit 2023-68507″, thuhet në e-mailin e një zyrtarit të Ministrisë së Financave.
Zyrtari i MF-së, në këtë komunikim, thotë se pagesat e tjera për 122 anëtarët e tjerë të stafit do të kryhen “në momentin që alokohen mjetet për shumën e mbetur”.
“Bashkëngjitur gjeni listën me 122 pagesat që janë refuzuar në simfk se nuk ka mjete në dispozicion. Në momentin që alokoni mjete për shumën e mbetur, e përpiloni një listë në Excel për këta persona dhe na dërgoni në email”, thuhet në komunikim.
Pagat e punonjësve në sektorin publik janë proceduar të premten, më 30 qershor.
/TV Malisheva