Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) në një shkresë drejtuar kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, edhe një herë kërkoi që të trajtohet përdorimi i IP adresave të Serbisë, nga operatorët vendor dhe të njëjtat të përdoren ato nga Shqipëri.

Lidhur me përdorimin e IP adresave nga Serbia, përfaqësues të OAK-së me 02 gusht 2021, ka realizuar takim me përfaqësuesit e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), e gjithashtu ka dërguar edhe shkresa përmes së cilave dëshmohet që operatorët vendor, janë duke përdorur IP adresa nga shteti serb.

“Duke pas parasysh që aktualisht Kosova nuk ka të drejtë të posedimit të kodit të internetit (ccTLD), kërkesë e OAK-së tash e sa kohë ishte dhe mbetet rregullimi i problemit të provajderëve dhe eliminimi i përdorimit të IP adresave nga Serbia apo Mali i Zi dhe këto të fundit të zëvendësohen njëherë për një herë me ato të Shqipërisë. Sipas OAK-së, mosrregullimi i IP Adresave edhe pse i deleguar tash e sa kohë, edhe më tutje mbetet problem për bizneset e specifikisht për sektorin medial i cili është duke u ballafaquar me mosrregullimin e tyre. OAK konsideron që me këtë rast, përveç humbjeve të cilat po iu shkaktohen bizneseve, problem tjetër mbetet edhe dëmtimi i imazhit të vendit tonë në aspektin nacional, kjo sepse në vend të paraqitjes së shtetit të Kosovës kur kërkojmë në linkun “What’s my IP address”, figuron shteti serb, malazez apo ndonjë nga vendet e tjera të rajonit. Përgjigja që kemi pranuar nga ARKEP është që  ata kanë ndërmarr hapat  të cilat kanë të drejtë t’i ndërmarrin për zgjidhje të kësaj situate. Ndër të cilat, i  janë drejtuar me shkresë ofruesve të përmbajtjeve promocionale në lidhje me gjuhën e reklamave promocionale të shfaqura në ueb portalet tona e gjithashtu janë takuar me disa ndër  operatorët kryesor të internetit në Kosovë”, thuhet në një komunikatë të OAK.

Në mënyrë që kjo çështje të mos ndalet në këtë pikë, por të vazhdojë trajtimi i saj, Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK)kërkoi nga kryeministri ta trajtoni me seriozitet kërkesën për rregullimin e IP adresave në një interval kohor sa më të shkurtër, duke marrë për bazë se kjo çështje është duke i shkaktuar Kosovës dhe bizneseve dëme materiale dhe nacionale të cilat janë jashtëzakonisht të mëdha./TV Malisheva

Share.