Rëndësia e arsimit dhe aftësimit profesional, bashkëpunimi i ngushtë mes bizneseve dhe MASHT, përgatitja e kuadrove profesionale në përputhje me nevojat e tregut, kufizimi i vendeve në institucionet arsimore publike dhe private, duke u respektuar profesionet që kërkohen në treg e obligimi që nxënësit dhe studentët krahas mësimit teorik të kryejnë edhe punën praktike ishin disa nga çështjet që u diskutuan në takimin mes përfaqësuesve të OAK-së me Këshilltaren e Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Majlinda Rizvanolli.
Nëpërmjet një komunikate për medie nga OAK, thuhet se Diamant Elshani theksoi që mungesa e kuadrit profesional po i vështirëson punët për bizneset, me këtë rast ai tha se “është më se e nevojshme që të rritet bashkëpunimi ndërmjet bizneseve dhe shkollave profesionale ashtu që të krijohen drejtime për të cilat ka mungesë të kuadrit, në përputhje me nevojat e tregut. Mungesa dhe largimi i punëtorëve është një problematikë shumë e theksuar”.
Përderisa Koordinatorja Qëndresa Ibrahimi potencoi Memorandumet e bashkëpunimit që OAK ka nënshkruar me Universitetin e Prishtinës dhe me Fakultetet përkatëse me qëllim të ndërlidhjes së studentëve me tregun e punës.
Të dyja palët theksuan rëndësinë e aplikimit të mësimi dual për nxënësit si kombinim mes teorisë dhe praktikës në mënyrë që të rinjtë të jenë sa më të përgatitur për tregun e punës, duke u bërë kështu inkorporimi i shkollave profesionale dhe bizneseve. Gjithashtu, gjatë këtij takimi u theksua nevoja e një analize të mirëfilltë të nevojave të tregut, e pastaj të akreditohen drejtimet në shkollat profesionale dhe ato në nivelin universitar me qëllim të eliminimit të shpërputhjeve që aktualisht ekzistojnë ndërmjet kuadrove që shkollat/universitetet nxjerrin me nevojat reale të tregut të punës./TV Malisheva