Qeveria ruse deklaroi të premten se faza e parë e luftës në Ukrainë thuajse ka përfunduar dhe se tashmë, trupat do të fokusohen në çlirimin tërësor të rajonit lindor të Donbasit.
Njoftimi, sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, tregon se Moska mund të jetë duke ndryshuar objektivat e saj, duke kaluar tek ata që janë më të arritshëm, pasi hasi në rezistencën e fortë të qytetarëve ukrainas në një muaj luftë.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se separatistët pro-rusë aktualisht kontrollojnë 93 për qind të territorit të rajonit të Luhanskut dhe 54 për qind të atij të Donetskut, që së bashku formojnë rajonin e Donbasit.
“Objektivat kryesorë të fazës së parë të operacionit në përgjithësi janë arritur. Fuqia luftarake e Forcave të Armatosura të Ukrainës është dobësuar ndjeshëm, gjë që na mundëson të fokusohemi tek synimi kryesor; çlirimi i Donbasit”, u shpreh Sergei Rudskoi, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë.
Një burim diplomatik nga Moska, i cituar nga “Reuters”, e përshkroi njoftimin e ushtrisë ruse një përpjekje të Moskës për të shpëtuar fytyrën dhe një prelud të mundshëm të reduktimit të planeve të saj.
Kjo, pasi forcat ruse kanë dështuar në marrjen e ndonjë qyteti të madh që nga nisja e pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt.
Ndërkohë, media të tjera perëndimore kanë raportuar se ushtarëve rusë në vijën e frontit u është thënë nga eprorët se lufta duhet të përfundojë brenda datës 9 maj.
Data në fjalë është dita kur Rusia celebron Ditën e Fitores, në kujtim të kapitullimit të Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
/TV Malisheva